Kakavijë, 8 orë mes të ftohtit për të kaluar kufirin

Dec 25, 2011 | 12:59

Rradha e makinave dje në doganën e Kapshticës

Në mes të të ftohtit gra e fëmijë. 7 mijë vetë, katër orë pritje edhe në Kapshticë.

Rreth 10 mijë veta kaluan natën në anën greke të Kakavijës.

Festat e fundvitit risjellin situatën e viteve të kaluara, ku mijëra emigrantë janë të detyruar të presin në radhë për të kaluar kufirin drejt Shqipërisë. Rreth 10 mijë emigrantë, të cilët ishin nisur nga Greqia për të festuar festën e Krishtlindjeve në familjet e tyre në Shqipëri, janë detyruar të presin 8 orë për të kaluar kufirin në Kakavijë. Kur temperaturat shënonin minus 7 gradë, mijëra emigrantë, mes tyre edhe gra e fëmijë, e kaluan natën në bordet e mjeteve të tyre. Të irrituar nga kjo situatë që është kthyer në fenomen të përvitshëm, ata u shprehën se kishin kaluar gjithë natën në mes të ftohtit në pritje për të kaluar kufirin. “Kishim me vete edhe fëmijë. Ata janë dridhur gjatë gjithë natës në mes të ftohtit. Na u deshën 8 orë pritje derisa na erdhi radha që autoritetet greke të kryenin kontrollet dhe të vendosnin vulën dalëse”, u shpreh një emigrante. Sipas saj, policia greke ka punuar gjatë gjithë natës vetëm me tre sportele gjithsej në hyrje dhe dalje, ndërkohë që autoritetet shqiptare kishin vënë në dispozicion 12 sportele. Sipas të dhënave nga autoritetet e pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, në 24 orët e fundit kanë hyrë përmes saj 10 mijë shtetas shqiptarë me banim rezident në Greqi, si dhe 3 mijë mjete, mes të cilave 100 autobusë. Ndërkohë, 6000 shqiptarë kanë kaluar gjatë 24 orëve të fundit për në Greqi. Nisur nga ankesat e shumta dhe qindra telefonata në adresë të Policisë Kufitare prej emigrantëve, kreu i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Thimi Remoçka, mori kontakt me homologun grek dhe fill pas kësaj, situata u normalizua. Festat e fundvitit shënuan dyndje të emigrantëve edhe në Kapshticë. Mijëra mjete u vendosën në radhë në tri korsi, ndërsa emigrantët pritën me orë të tëra, duke qenë të detyruar të sfidojnë edhe temperaturat që shënonin disa gradë nën zero. Numri i madh i emigrantëve krijoi vështirësi në menaxhimin e situatës nga pala greke, e cila punoi vetëm me 4 sportele. Sipas emigrantëve, atyre u është dashur të qëndrojnë në pritje nga 2-4 orë para se të mund t’i afroheshin sporteleve për përpunimin e dokumentacionit. Shifrat e 24 orëve flasin për rreth 7 mijë emigrantë që kaluan kufirin me 2800 mjete.                          p.n/dh.d

SARANDE
Në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Botë, gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një fluks i madh në hyrje i emigrantëve që vijnë për të kaluar festat në Shqipëri. Sipas burimeve nga Komisariati i Kufirit, mësohet se gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes dhe orëve të para të mëngjesit të së shtunës, nëpërmjet kësaj pike kufitare kanë hyrë rreth 900 persona me 210 mjete. Ndërkohë, mësohet se nga kjo pikë kufitare, krahas hyrjeve, ka pasur edhe dalje drejt Greqisë.

GJIROKASTER/ KORÇE

© Panorama.al

Te lidhura