Komisioni Amerikan i Helsinkit u bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare dhe të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet e 8 majit që të ndërmarrin çdo përpjekje për të siguruar që procesi zgjedhor të kryhet në përputhje me angazhimet dhe normat e OSBE.
Në njoftimin për shtyp të Komisionit Amerikan të Helsinkit thuhet se kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e votimit dhe kërkohet që të ketë transparencë maksimale në lidhje me këto zgjedhje dhe një angazhim të dukshëm të zyrtarëve për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm.
“Votuesit kudo duhet të dinë që vendimi i tyre në kabinën e votimit do të respektohet dhe do të numërohet, dhe në Shqipëri veçanërisht, votuesit e meritojnë që të dinë se pas dy dekadave të zgjedhjeve me standarte të papërmbushura, këtë vit do të jetë ndryshe. Ky vit duhet të jetë një pikë kthese, ku mbizotërojnë parimet demokratike dhe njerëzit mund të kenë besim të vërtetë në saktësinë e rezultateve të zgjedhjeve.”- thotë shefi i komisionit Chris Smith
Smith shprehu gjithashtu shqetësimin në lidhje me raportet e incidenteve të dhunshme që kanë prishur fushatën e tanishme.
“Duke u takuar, me njerëz të talentuar nga disa prej partive politike konkurrente në Shqipëri, unë e di se shumë ide pozitive kanë për të ardhmen e vendit”, vuri në dukje përfaqësuesi Robert Aderholt i cili ka vizituar Shqipërinë disa herë në të kaluarën.
“Unë shpresoj se këto zgjedhje do të jenë të drejta dhe do të pasqyrojnë vullnetin e popullit në mënyrë që të zgjedhurit, qoftë në pjesën e mazhorancës ose të pakicës, mund të punojnë në mënyrë konstruktive në nivel lokal. Shpresojmë se këto zgjedhje vendore do të vendosin një shembull pozitiv për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. “- shprehet ai
Smith vuri në dukje se, duke patur parasysh se shumë votues e marrin vendimin në ditët e fundit të fushatës, ky është një mesazh në kohën e duhur.
“Ne i bëjmë thirrje zyrtarëve shqiptarë përgjegjës për procesin zgjedhor që të sigurojnë shqiptarët që votat e tyre do të numërohen”
© Panorama.al











