Komisioni Amerikan i Helsinkit ka mbajtur sot një konference për Shqipërinë, ku çështja kryesore ishte 8 maji dhe situata paszgjedhore.
Gjatë kësaj konference ka raportuar edhe kreu i misionit të OSBE/ODIHR, Xhonatan Stonstrit, i cili ka përsëritur edhe njëherë se baza ligjore për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara ka qenë e paqartë në momentin që është marrë vendimi nga KQZ.
Duke raportuar nëpërmjet telefonit, nga Parisi, Stonestrit tha se KQZ për një vendim kaq të rëndësishëm duhet të kishte dhënë në fillim shpjegimin dhe më pas të merrte vendimin dhe jo e kundërta.
Më tej ai është shprehur se qysh në fillim të fushatës nga partitë politike në Shqipëri pati disa vonesa, ndërsa u ngritën akuza ndaj anëtarëve të KQZ-së duke krijuar mosbesim tek ky institucion që në fillim të procesit.
Gjatë konferencës janë dhënë edhe sugjerime lidhur me proceset e ardhshme zgjedhore ku është vënë theksi tek fakti se Shqipëria duhet të luftojë disa sëmundje, si polarizimin e lartë politik, klientelizmin politik apo hakmarrjen politike.
Sipas Rob Benjamin, drejtor Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik për çështjet Ndërkombëtare, të humbësh një post në Shqipëri është financiarisht i dhunshëm për një grup mbështetësish.
SHBA dhe BE, tha ai, duhet të luajnë një rol më direkt gjatë proceseve zgjedhore në Shqipëri.
© Panorama.al











