Kadare: Basha, tërhiqu Kandidati: Jo, fyej votuesit

May 22, 2011 | 10:11

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, përmes një letre të hapur, shpërndarë të gjitha redaksive mediatike, i kërkon kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, të tërhiqet nga kandidimi për kreun e Bashkisë së kryeqytetit. Sipas shqiptarit të njohur, letra e të cilit mbërriti nga Parisi, ku ndodhet aktualisht, tërheqja e zotit Basha nga kandidimi në këto momente tensionesh dhe kërcënimesh nga ana e opozitës, do të ndihmonte stabilitetin e vendit dhe nuk do të bllokonte rrugën europiane të vendit. Kadare sjell në vëmendje raste nga historia kur burra shteti kanë bërë tërheqje për interesa të mëdha kombëtare. Në orët e vona të mbrëmjes, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Basha iu përgjigj letrës së shkrimtarit të njohur, duke thënë se preokupimi për të ardhmen europiane të vendit e preokupon edhe atë vetë. Sipas Bashës, tërheqja e tij nga gara do të fyente votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë, se ky vend nuk është në gjendje të zhvillojë zgjedhje.

Letër e hapur zotit Lulzim Basha, kandidat për Bashkinë e Tiranës
Paris, 21 maj 2011

Zoti Lulzim Basha,

I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.
S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.
Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj., por nga një tjetër pikëpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit, do të ishte i drejtë dhe i saktë.
Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën   përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest, që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.
Nuk e kam të vështirë të marr me mend, në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thosha se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me  një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsie etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës.
Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumë se ndonjë meritë apo mosmeritë imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njërën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.
Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste të tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe të çmuara si gjeste të mëdha, tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja, posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I.Qemali, më 1912, ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur, me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet për të mirën e Shqipërisë.
Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet të jetë anëtare e denjë e familjes.
Gjesti juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke përfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i tillë, përpara se të nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.
Jemi mësuar me shprehjen “turp i përbashkët”, që mirë a keq, e kemi përjetuar gjatë shumë viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër: “nder i përbashkët”.
Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.

Miqësisht, me shpresë,
Ismail Kadare, shkrimtar

I nderuar Zoti Kadare,

Lexova me vëmendje letrën tuaj dhe ju falënderoj për shqetësimin që shprehni në lidhje me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet.
Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj. Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës. Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin. Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon procesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor, duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.
E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë. Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit, sesa një garë e munguar.
Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri.  Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira, sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.
Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do të mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.
Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt anti-demokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës, sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.
Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.
Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.
Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Me respekt,
Lulzim Basha

© Panorama.al

Te lidhura