Garë interesante në Serie A, në fund të gjysmësezonit të parë. Juventus dhe Udineze kanë ndarë pikët në një barazim pa gola, duke i bërë kështu një nder Milanit, skuadër kjo që fitoi 2-0 në transfertën e së martës në Sardenjë, ndaj Kaljarit. Kuqezinjtë kanë 34 pikë, po aq sa edhe Juventusi i Kontes, dhe pas tyre vjen Udineze dhe Lacio. Bardhekaltrit barazuan Kievon në një ndeshje të dominuar nga lacialët, por pa mundur të zhbllokojnë rezultatin e ndeshjes. Në fushë nga minuta e parë luajti edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Titullar luajti edhe Ujkani te Novara, e cila barazoi në fushën e vet me Palermon. Ndërsa Çezena e Erjon Bogdanit u mund 4-1 në fushën e Atalantës. Sulmuesi shqiptar u fut në lojë në minutën e 59-të të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 3-1. Fitore me përmbysje sigloi Interi, i cili pasi shkoi në disavatazh me Leçen, arriti të kthente rezultatin në 4-1. Vazhdon ngjitjen edhe Roma, e cila fitoi në fushën e Bolonjës, ndërsa Napoli shkatërroi Xhenoan.
Serie A
Të martën
Siena-Fiorentina 0-0
Kaljari-Milan 0-2
Mbrëmë
Udinese-Juve 0-0
Atalanta-Çesena 4-1
Bolonja-Roma 0-2
Inter-Leçe 4-1
Lazio-Kievo 0-0
Napoli-Xhenoa 6-1
Novara-Palermo 2-2
Parma-Katania 3-3











