Pas mbërritje së tij në radhët e kampionëve të Italisë, Niklas Bendtner ka një detyrë të vështirë: të fitojë besimin e trajnerit Antonio Konte dhe Juventusit. Sulmuesi danez vinte prej një periudhe 10-ditore, në të cilën nuk kishte bërë asnjë minutë stërvitje me Arsenalin, prandaj vetëm ngarkesa fizike që ai duhet të rikuperojë, krahasuar me shokët e tij të rinj, kërkon një përgatitje të rreptë dhe të veçantë. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte kjo, në daljen e tij të parë në fushë përkrah juventinëve, 24-vjeçari është parë mbipeshë, diçka që trajnerit Antonio Konte nuk i pëlqen aspak, prandaj nga dita e djeshme ai ka urdhëruar një dietë të rreptë për futbollistin nordik. Ky mbase është misioni më i vështirë për sulmuesin, i cili është i apasionuar pas makaronave, picës dhe patateve të skuqura.











