JD Vance: Kemi bërë një hap përpara për paqen në Ukrainë, por rezultati mbetet i pasigurt! Donbasi, pengesa e madhe në negocioata

Dec 22, 2025 | 16:21

Uashingtoni do të vazhdojë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë, pavarësisht pasigurisë që vijon të shoqërojë rezultatin e bisedimeve, deklaroi zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance. Ai theksoi se ka shenja përparimi, pasi tashmë “të gjitha çështjet janë vendosur realisht hapur në tryezë”.

jd vance

Në një intervistë për median UnHerd, Vance pranoi se negociatat e paqes “kanë hasur vështirësi” me të treja palët e përfshira, Ukrainën, vendet evropiane dhe Rusinë. Megjithatë, sipas tij, është shënuar një hap i rëndësishëm përpara, pasi çështjet tani diskutohen hapur, ndryshe nga faza fillestare e kontakteve, kur ekzistonte, siç u shpreh ai, “një lojë e vogël konfuzioni, me fshehje pas çështjeve të rreme dhe pa hapur kartat”.

Zëvendëspresidenti amerikan u ndal veçanërisht te çështja territoriale, duke theksuar se “rusët duan realisht të kontrollojnë territorin e Donetskut”. Sipas tij, pala ukrainase e sheh këtë si një problem serioz sigurie, edhe pse në biseda private pranon se mund të përfundojë duke e humbur këtë zonë.

“Kjo mund të ndodhë pas 12 muajsh ose edhe më vonë. Megjithatë, kjo lëshim territorial është një pengesë e madhe në negociata, është një lëshim i rëndë dhe duhet ta pranojmë këtë”, u shpreh Vance.

Ai përmendi gjithashtu një sërë çështjesh të tjera, më pak qendrore por thelbësore, si statusi i centralit bërthamor të Zaporizhias dhe e ardhmja e mijëra njerëzve që ndodhen në të dyja anët e kufirit.

“Kush do ta kontrollojë centralin bërthamor? A mund të ketë kontroll të përbashkët? A do të kontrollohet nga një palë apo nga disa? Çfarë do të ndodhë me rusët etnikë që ndodhen ende në Ukrainë? Po me ukrainasit etnikë që janë në Rusi? Çfarë do të bëhet me ukrainasit që jetojnë sot në territore të pushtuara nga Rusia, por që duan të kthehen në Ukrainë?”, tha ai, duke shtuar se pyetje të ngjashme ngrihen edhe nga pala ruse.

Vance foli edhe për çështjen e rindërtimit, duke vënë në dukje se Ukraina i kushton asaj rëndësi të veçantë, ndërsa Rusia shfaqet më pak e fokusuar në këtë aspekt.

Sipas zëvendëspresidentit amerikan, asnjëra palë nuk mund të akuzohet se po pengon qëllimisht procesin e bisedimeve. “Të paktën muajt e fundit, të gjithë po marrin pjesë në negociata me mirëbesim”, tha ai.

Në përfundim, Vance theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut, pa paragjykuar rezultatin.

“Do të vazhdojmë të përpiqemi të negociojmë. Besoj se kemi bërë përparim, por sot nuk mund të them me siguri se do të arrijmë një zgjidhje paqësore. Ka një mundësi të mirë që të kemi sukses, por ka edhe një mundësi po aq të mirë që të mos ia dalim”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura