Jashtë kushteve të higjienës, dry shkollës

Sep 22, 2011 | 10:31

GJIROKASTER – Një tjetër shkolle 9-vjeçare në qytetin e Gjirokastrës rrezikohet t’i vihet dryni. Bëhet fjalë për shkollën e komunitetit rom, e quajtur “Së bashku”. Deri në fund të javës, godina njëkatëshe, e gjendur në lagjen “Zinxhira”, duhet të plotësojë kushtet elementare higjienike për të pasur një proces normal mësimi. Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik i ka dhënë ultimatum drejtorit të kësaj shkolle, Arben Rexhës, për të përmirësuar kushtet ku shkollohen 70 fëmijë, shumica e të cilëve nga komuniteti rom. Ambientet e brendshme të shkollës janë pothuajse të pabanueshme dhe larg standardeve për mësim normal. Nga ana e tij, drejtori i kësaj shkolle, Arben Rexha, për gazetën “Panorama” është shprehur kritik karshi bashkisë së qytetit, pasi sipas tij, ajo nuk ka lëvruar fondet e nevojshme për ndryshimin e gjendjes. Rexha ka kërkuar nga institucionet shtetërore vëmendje për këtë situatë skandaloze që po përjeton arsimi i romëve dhe e gjithë kjo, për pasojë të paaftësisë siç tha ai, nga ana e Bashkisë në moslëvrim të fondeve që do të rehabilitonin godinën. p.n

© Panorama.al

Te lidhura