Japonia ulet në gjunjë, cunami vret mbi 1000 vetë

Mar 12, 2011 | 10:47

Sipas kryqit të Kuq, alarmi për cunami duhet të qëndrojë në fuqi në të gjitha vendet e Paqësorit, edhe pse paralajmërimi u hoq në disa vende si Tajvani, Australia dhe Zelanda e Re. Të paktën 1000 njerëz kanë humbur jetën nga cunami dhe qindra të tjerë janë zhdukur në Japoni. Shkatërrimi ka prekur të gjithë linjën bregdetare të Japonisë, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet ndjeshëm nga çasti në çast. Vetëm në një plazh janë gjetur 300 trupa njerëzish. Tërmeti i fuqishëm ishte i magnitudës 8.9 ballë, më i fuqishmi që kur Japonia ka nisur regjistrimin e ngjarjeve të tilla, 140 vjet më parë. Tërmeti shkaktoi të vdekur, të plagosur, shkatërrime materiale, mbi 80 vatra të mëdha zjarri dhe përmbytje masive, pasi u pasua nga dallgët deri në 1-0 metra të larta. Por tmerri nuk ka përfunduar ende për popullin japonez. Pas cunamit kanë ndodhur pesë goditje të tjerë 5,5 ballësh. Gjatë pasdites janë ndierë edhe të dridhura të tjera të magnitudës 6.1 ballë. Ndërsa në mbrëmje qendra sizmologjike në Japoni regjistroi dridhjet 7,5 ballë. Vendi mbetet ende në gjendje gatishmërie. Agjencia zyrtare e lajmeve, Kyodo, raportoi dje se numri i të vdekurve mund të jetë mbi një mijë. Dhjetëra fabrika dhe impiante janë mbyllur në pjesën veriore të Japonisë. Kryeministri japonez, Naoto Kan, tha se politikanët duhej ta “shpëtonin vendin” pas shkatërrimit që ka përfshirë një pjesë të mirë të territorit. Tërmeti ka çarë një autostradë afër Tokios dhe ka dëmtuar qindra ndërtesa. Një anije me 100 njerëz është përfshirë nga dallgët dhe nuk dihet fati i tyre. Ujërat  turbullta në brigjet japoneze tani janë të mbushura me tulla dhe xhama. Lagje të tëra me shtëpi kanë hyrë në det, ndërsa anijet kanë dalë në rrugë. Rreth 4.4 milionë shtëpi janë pa energji elektrike në pjesën veriore të Japonisë. Një hotel është rrëzuar në tokë dhe mendohet se është nën rrënoja, në qytetin Sendai. Gjigandi i elektronikës “Sony Corp”, ka mbyllur gjashtë fabrika. Rreth 300 avionë dhe 40 anije janë gati për të ofruar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti. Më shumë se 45 vende nga Kombet e Bashkuara kanë ofruar ndihmën e tyre për Japoninë. “Më shumë se 68 skuadra, të ardhura nga më shumë se 45 vende, janë në pritje të urdhrit për të ndërhyrë”, tha Elisabeth Byrs, zëdhënëse e OKB-së për çështjet humanitare.

Zhduken trenat

Një tren në shërbim në zonën bregdetare të prefekturës së Miyagi-t, në Japoninë verilindore, rezulton i zhdukur që pas kalimit të cunamit. Lajmin e konfirmoi policia japoneze, sipas së cilës për momentin nuk dihet ende saktë numri i pasagjerëve që ndodheshin në tren. Treni, gjatë kohës që goditi tërmeti 8,9 ballë, ishte në linjën që lidhte qytete Sendai dhe Ishinomaki. Një tren tjetër me dy vagonë është zhdukur në prefekturën e Iwate-s, gjithmonë në verilindje. Lajmin e referoi agjencia e shtypit “Jiji Press”.

Biçikletat

Ndërsa toka vazhdon të dridhet, nga Twitter mbërriti lajmi se ka shpërthyer tregtia e biçikletave. Makinat janë të pasigurta, pasi autostradat janë të çara. Japonezët kanë mbetur në këmbë me orë të tëra në kryeqytet, pasi linjat metropolitane kanë nisur të funksionojnë në orët e pasdites dhe shumë të kufizuara. Dhjetëra dyqane janë detyruar të qëndrojnë hapur për të përfituar me tregtinë më të volitshme të momentit, biçikletat.

Superhëna

E ashtuquajtura superhënë, thuhet se mund të jetë shkaku i tmerreve meteorologjike që ndodhin në të gjithë planetin tonë. Edhe pse duhet më shumë se një javë që ajo të formohet, shumë besojnë se tërmeti shkatërruar i Japonisë mund të jetë shkatërrimi natyror më i madh i shkaktuar prej saj. Cunami i Indonezisë në vitin 2005 goditi dy javë përpara superhënës dhe superhëna e 2011, e cila pritet të ndodhë më 19 mars, hëna jo vetëm që do të jetë në pozicionin më të afërt me Tokën në orbitën e saj eliptike, por do të jetë më afër Tokës se çka qenë në 18 vitet e fundit. Disa meteorologë besojnë në këtë teori, dhe të tjerë jo. Çfarë tjetër mund të presim?

Tirana Zyrtare

Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha kanë shprehur solidaritetin e tyre me kombin japonez. Presidenti i Republikës, Topi, i ka dërguar Perandorit të Japonisë, Akihito një mesazh ku shpreh hidhërimin dhe keqardhjen e thellë për tragjedinë dhe ngushëllimet më të sinqerta në emër të tij dhe të të gjithë popullit shqiptar. Mesazhi i Kryeministrit Berisha i ishte drejtuar qeverisë japoneze, ku u shprehën ndjenjat më të thella të solidaritetit në momentin
e tragjedisë së madhe natyrore.

© Panorama.al

Te lidhura