Japonia në gatishmëri maksimale nukleare

Mar 30, 2011 | 10:41

Kryeministri japonez tha se vendi është në “gatishmërinë maksimale” mbi krizën nukleare, ndërsa radioaktiviteti vazhdon të pengojë punimet në centralin e Fukushimës dhe gjurmë të plutoniumit u gjetën në baltën rreth centralit. Plutoniumi është një metal radioaktiv, i cili emeton radioaktivitet alfa, i cili ka grimca të rënda që mund të ndalohen nga lëkura dhe rrobat, por janë shumë të rrezikshme nëse hyjnë në trup, pasi provokojnë kancerin. Kryeministri Naoto Kan, tha të martën se situata mbetet e paparashikueshme në impiantin e dëmtuar prej tërmetit. Punëtorët në Fukushima kanë hedhur thasë me rërë dhe kanë përgatitur kamionët e emergjencës të martën për të ndaluar që rrjedhja e ujit të kontaminuar të shkojë në oqean. Sipas qeverisë japoneze, zbulimi i plutoniumit, në baltën pranë impiantit, është një provë e re se të paktën një nga reaktorët ka pësuar shkrirje të pjesshme. Një shkrirje e plotë mund të lëshonte sasi shumë të mëdha radioaktiviteti në ambient. “Ekziston një mundësi e madhe se ka pasur shkrije në të paktën një prej reaktorëve”, tha zëdhënësi i qeverisë, Yukio Edano. “Kjo është një situatë shumë e rrezikshme”, shtoi ai. Kryeministri Kan tha në Parlament se “Ky tërmet, cunami dhe aksidenti nuklear, janë krizat më të mëdha të Japonisë” në dekada. Kan pranoi se kriza në impiant ka pak gjasa të ofrojë optimizëm. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, pritet të takohet me kryeministrin Kan gjatë një vizite në Japoni të enjten. Sarkozi do të udhëtojë në Japoni në emër të G20, grupit të ekonomive më të mëdha në votë. Përpjekjet për të kontrolluar krizën që ka nisur në impiant kanë të bëjnë kryesisht me sigurimin e sistemeve të ftohjes së lëndës nukleare në të gjashtë reaktorët e impiantit. Por, gjatë ditëve të fundit, puna në reaktorët më të dëmtuar të impiantit, ata numër një, dy dhe tre, është ngadalësuar pas zbulimit të normave tmerrësisht të larta të radioaktivitetit. Uji tani po krijon tunele të nëndheshëm dhe është drejtuar nga deti. Të gjitha përpjekjet për të pompuar ujin e ndotur dhe për ta hedhur atë në cisterna kanë dështuar, pasi cisternat janë plot dhe po ashtu edhe vaskat me ujë të kontaminuar. Rrjedhjet radioaktive nga centrali janë bërë një kërcënim serioz për popullsinë. Ndërsa disa ditë më parë, ata u këshilluan që të mos u japin ujë nga rubineti, të paktën fëmijëve të vegjël. Një rrezik të madh përbën edhe konsumimi i ushqimeve të zonës, nga të cilat qumështi dhe zarzavatet kanë rezultuar të kontaminuara. Ndërkohë, numri i të vdekurve është rritur sërish. Zyrtarisht janë njoftuar 11 mijë të vdekur dhe 17 mijë të zhdukur, duke e çuar numrin e viktimave të tërmetit dhe cunamit të 11 marsit në 28 mijë vetë.

© Panorama.al

Te lidhura