Ujëra shumë të kontaminuar po rrjedhin nga centrali nuklear në Fukushima, Japoni, dhe shumë shpejt mund të rrjedhin në oqean, duke paraqitur një kërcënim më të madh kontaminimi. Zbulimi ka rritur alarmin për rrjedhje të tjera në centralin Fukushima Daiki dhe është një pengesë më shumë në përpjekjet e ekspertëve për të marrë situatën në kontroll, pasi ambienti për ta mund të jetë shumë i rrezikshëm. Nga matjet e fundit u konfirmua se radioaktiviteti ishte 10 milionë herë më i lartë se ai i niveleve normale që nuk konsiderohen të rrezikshme për shëndetin. Matjet me shifrat shqetësuese u bënë në reaktorin numër dy, nga ku mendohet se ka edhe rrjedhje radioaktive. “Rrjedhjet kanë dalë nga ndërtesa e turbinës së reaktorit, ku u zbulua të dielën uji i kontaminuar, drejt një daljeje vetëm 55 metra larg detit”, tha Hidehiko Nishiyama, zv/drejtor i përgjithshëm për Agjencinë e Sigurisë Nukleare dhe Industriale. Kontaminim është gjetur edhe në reaktorët numër një dhe atë numër tre, edhe pse me nivele më të ulëta radioaktiviteti. “Ne nuk jemi të sigurt, nëse ka një mbi-rrjedhje uji jashtë tunelit”, shtoi Nishiyama. Ai tha se punëtorët po dyfishojnë përpjekjet për të larguar fillimisht ujin e kontaminuar nga pishinat e reaktorit. Sipas zyrtarëve të qeverisë, ka shumë mundësi që uji të ketë rrjedhur nga gypat e thyer brenda reaktorit. Nishiyama theksoi se nuk ka rrezik për shëndetin, sepse në këtë zonë nuk do të lejohet peshkimi. Sipas agjencisë Kyodo, “Tokyo Electric” ka njoftuar të hënën se është gjetur edhe plutonium në baltën e pesë lokacioneve të impiantit. Sipas kompanisë, plutoniumi besohet se është shkarkuar nga karburanti nuklear. Naoki Sunoda, një zëdhënës për “Tokyo Electric Power” (Tepco), tha se që kur ka nisur kriza, më 11 mars, 19 punëtorë janë ekspozuar në nivele të larta radioaktiviteti prej 100 milisievert. Nga punëtorët e pranishëm në central të hënën, sipas “New York Times”, 381 ishin të “Tepco”-s dhe 69 nga një kontraktor. Zjarrfikësit dhe ushtria po ndihmojnë gjithashtu në central. Yukio Edano, zëdhënës i qeverisë japoneze, tha se është shumë herët për njerëzit e evakuuar 30 km nga impianti, që të kthehen në shtëpitë e tyre. “Nuk mund të garantojmë sigurinë e tyre për momentin”, tha ai. Kreu i komisionit amerikan për rregullatorin nuklear, Gregori Jazko, ishte në Tokio të hënën për t’u takuar me përfaqësues të qeverisë japoneze dhe të “Tepco”-s. Ai tha se do të ndihmojë, pa dhënë detaje. Vizita e Jazkos erdhi pasi Japonia i kërkoi ndihmë industrisë nukleare franceze. Agjencia nukleare në Francë ka vendosur të mos dërgojë njerëz për momentin, por vetëm asistencë në ekspertizën teknike. Shifra zyrtare e viktimave të tërmetit shkatërrues 9-ballësh në Japoni dhe cunamit që e pasoi atë, ka arritur në 27,242 vetë.
Japoni, tërmet 6.5 ballë
Një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 6.5 ballë ka goditur dje verilindjen e Japonisë. Autoritetet kanë dhënë alarm për një cunami me dallgë 50 centimetra. Që pas tërmetit historik 9- ballësh të 11 marsit, dridhjet e tokës nuk kanë reshtur në Japoni, ku pjesa më e madhe e tyre kanë shënuar mbi 6 ballë.











