Policia japoneze ka gjetur të dielën një grua 80-vjeçare dhe një djalë 16-vjeçar të gjallë nën rrënoja, pas nëntë ditësh nga tërmeti masiv dhe cunami që goditën Japoninë verilindore. Numri i të vdekurve i ka kaluar 20,000 vetë, ku rreth 12 mijë janë zyrtarisht të humbur. Sumi Abe dhe nipi i saj Jin Abe i janë përgjigjur thirrjeve të policëve në Ishinomaki, në prefekturën e Miyagit, një nga më të goditurat prej tërmetit. Televizionet vendase kanë transportuar pamje të transportimit të tyre me helikopter drejt një spitali lokal. Të dy kanë ngrënë shumë pak ushqim të pagatuar në ditë, të gjendur në frigoriferin e shtëpisë, që nga e premtja e cunamit. Sumi ishte e dehidratuar, ndërsa djali, Jin, vuante nga hipotermia. Ndërkohë, të dielën numri i të vdekurve dhe i të zhdukurve zyrtarisht u rrit në 20,405 me 8,133 të vdekur dhe 12,272 të zhdukur. Numri sërish pritet të rritet. Më shumë se 360,000 të evakuuar kanë kaluar natën për të dhjetën herë në çadra në 14 prefektura, ndërsa pritet ende ndihmë dhe mbështetje nga jashtë. Pajisje të tilla përfshijnë 230,000 shishe uji nga Koreja e Jugut, 500 gjeneratorë nga Tajvani dhe 25,000 batanije nga Kanadaja. Ndërkohë, punët në centralin e Fukushimës duket se po japin rezultatet. Dy prej reaktorëve po funskionojnë si më parë, ndërsa po bëhen përpjekje për të sjellë në gjendjen e mëparshme të gjithë reaktorët e tjerë të centralit bërthamor. Zyrtarët japonezë kanë deklaruar se kanë bërë progres edhe në evidentimin e zonës së rrjedhjes në një prej rektorëve, mes alarmit se ushqimet rreth kësaj zone janë të kontaminuara. Edhe në botë ka rënë alarmi mbi katastrofën e mundshme nukleare në Fukushima.
Tërmet në Filipine
Një tërmet 6.4 ballësh ka goditur pjesën veriore të Filipineve.
Tërmeti u ndje më shumë në ishullin Laoang, me një epiqendër 50 kilometra larg dhe në thellësi. Autoritetet nuk kanë vënë alarm për cunam dhe nuk kanë raportuar për viktima apo dëme materiale.











