Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj në fjalën e tij mbajtur në protestën para kryeministrisë, akuzoi qeverinë për abuzime të rënda financiare në dëm të qytetarëve.
Lapaj solli shembullin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, që siç u shpreh ai me një firmë të saj u vodhën 53 mln euro.
“Këta janë kapur gafil në vjedhje, këta që kanë blerë 10 milionë euro çokollata ndërkohë buxheti kundër kancerit nuk është 10 mln euro.
Këta që me një firmë të zv kryeministres kanë vjedhur 53 mln euro ndërsa fëmijët e kësaj republike dridhen në shkolla nga i ftohti sepse nuk ka naftë për kaldajat. Çfarë duhet të bëjë më shumë një qeveri kundër popullit të vet që të rrëzohet?!”, tha Lapaj.
Po ashtu Lapaj tha se edhe qëndrimi i një qytetari të vetëm përballë padrejtësisë është një rrugë e drejtë, ndërsa akuzoi qeverinë për dështim në përmbushjen e premtimeve kryesore.
“Sot jemi në ditën e 28 të qëndresës qytetare kundër hajdutërisë. Sot bota është më e lirë, sepse një diktator matanë oqeanit ra dhe një autokrat na ka përballë. Kjo është një përballje me hajdutët, ndaj edhe një sikur të qëndrojë është një rrugë e drejtë. Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të na sjellë ujë, po a kemi ujë sot? Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të vendosur rend dhe ligj, a kemi sot rend dhe ligj? Jemi përballë atij që erdhi në pushtet se do luftonte krimin dhe drogën, a kemi sot krim dhe drogë? Erdhi në pushtet për të luftuar korrupsionin. Jemi sot ne vendi më i korruptuar apo jo? Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Evropë” ,tha Lapaj.
© Panorama.al











