Jahjaga, Serbisë: Mos kini pretendime territori! Serbët vendosin barrikadë të re

Dec 9, 2011 | 13:47
Thaçi e Ashton, gjatë takimit në Bruksel

Ndërkohë që serbët e Veriut të Kosovës kanë vendosur një barrikadë të re dje në Jarinë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka bërë thirrje Serbisë që të heqë dorë nga pretendimet mbi territorin e vendit. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran e ka perspektivën e qartë europiane. Ne nuk shohim rrugë tjetër. Ky përkushtim është dëshmuar në të gjitha proceset e tanishme, duke përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë”, tha Jahjaga. Ndërkohë Kryeministri Hashim Thaçi është në ditën e tretë të vizitës së tij në Bruksel. Ai është takuar me autoritete të larta të politikës botërore, ku ka marrë serish mbështetje për Kosovën. Gjatë një takimi me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, Kryeministri Thaçi e ka njoftuar sekretaren Klinton për zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe ka theksuar përkushtimin e institucioneve në dialogun teknik me Serbinë. Klinton ka vlerësuar lartë përkushtimin e Prishtinës zyrtare. Ajo i ka ritheksuar Kryeministrit Thaçi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për qeverinë e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës. Thaçi zhvilloi një takim edhe me kryediplomaten europiane Katerin Ashton, e cila ka mbështetur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, që u arrit në takimin e fundit me Serbinë. Duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes, Ashton ka vlerësuar rolin konstruktiv të Prishtinës në dialogun teknik me Beogradin.

S’ka pakt takimesh rajonale
Kreu i ekipit negociator serb, Borislav Stefanoviç, tha se nuk është arritur marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe se për këtë temë po vazhdojnë bisedimet. Stefanoviç, i cili kërkon që çështjet që Serbia ka hapur me Kosovën të mos mbajnë peng fatin e saj për kandidaturën në BE, pranoi se qëndrimet mes tyre e Kosovës janë shumë larg.

© Panorama.al

Te lidhura