Jahjaga: Hiqni dorë nga pretendimet territoriale

Dec 8, 2011 | 11:13

PRISHTINE- Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga i bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë që të heqin dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dhe po ashtu të heqin dorë nga përkrahja e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Ajo në fjalimin vjetor para deputetëve të Kosovës, ia bëri të qartë Serbisë se periudhat e hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar, ndërsa shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri të Kosovës. Sipas saj, zbatimi i planit të Ahtisaarit nuk ka alternativ tjetër dhe ai nuk mund të modifikohet.

Duke përshëndetur fillimin e heqjes së barrikadave, presidentja Jahjaga iu drejtua qytetarëve serb të Kosovës, duke thënë se kanë të drejta të barabarta, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve.

Ajo paralajmëroi se në javët në vijim do të vizitojë vendbanimet në Kosovë dhe komunat e krijuar me decentralizim.

Presidentja e vendit, më tej para deputetëve të Kosovës vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të tillë që kërkon angazhim të të gjithëve, veprim, pasi nuk ka më kohë për të humbur.

Ajo theksoi se qartësimi i rrugës evropiane është i domosdoshëm, është interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe BE-së. “Ne nuk shohim rrugë tjetër, përveç asaj evropiane”, tha ndër të tjera Jahjaga.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo tha se paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për t’i normalizuar marrëdhëniet si dy shtete të pavarura e sovrane.

Ajo vlerësoi se nuk duhet shmangur dialogut, por sipas saj dialogu transparent dhe llogaridhënia para qytetarëve do të jetë garant i suksesit të këtij procesi dhe secila marrëveshje e arritur ndërmjet dy shteteve duhet të garantohet fuqishëm nga BE.

Në fjalimin e saj, presidentja Jahjaga potencoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, integriteti territorial është i paprekshëm dhe për këtë tha ekziston mbështetja e fuqishme ndërkombëtare.

Ajo tha se vendi është i bashkuar për veprim kur është në pyetje forcimi i shtetit edhe pse rruga sipas saj nuk është e lehtë. Duke iu drejtuar qytetarëve të vendit, presidentja tha se kanë pritur për mundësi të zhvillimit ekonomik, për të zënë vend në mesin e kombeve të lira, për arsim bashkëkohor etj.

“Po punojmë të ngjallim shpresë për një Kosovë më stabile, arsim bashkëkohor…. për një sistem shëndetësor të mirëfilltë, po punojmë për ndërtimin e një vendi ku angazhimi, puna dija kanë vlerë”, tha Jahjaga.

Ajo vlerësoi se duhet të nderohet gjithmonë sakrifica e dëshmorëve dhe të respektohen familjet e tyre, duke qenë krenar për Kosovën e sotme, shtet sovran dhe demokratik. Ajo, po ashtu tha se institucionet e vendit e kanë për borxh që të punojnë në mënyrë që familjeve të të pagjeturve t’ua gjejnë dhe kthejnë familjarëve të tyre. Presidentja në fjalimin para deputetëve të Kosovës përmendi edhe një mori çështjesh, si atë të imazhit të vendit, problemit të korrupsionit e krimit të organizuar, domosdoshmërisë për reforma ekonomike, politike e shoqërore, etj. (Telegrafi)

© Panorama.al

Te lidhura