Jahjaga, Thaçi e Pacolli takohen me Klinton

Sep 19, 2011 | 20:33

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij Behgjet Pacolli, janë pritur në një takim nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila theksoi se SHBA-ja e mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj.

Ajo inkurajoi autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë ngsuhtë me misonet ndërkombëtare në vend, duke shtuar se është me rëndësi marrëdhënia e afërt me Bashkimin Evropian.

Klinton tha se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për ndihmë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces. Ajo tha se SHBA-ja po vazhdon t’i inkurajojë shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e falënderoi sekretaren Klinton për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që SHBA-të po e japin në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe për konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo e njoftoi sekretaren amerikane për progresin e arritur në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe Partneritetin për Paqe.

Presidentja Jahjaga theksoi se aksioni në tri komunat veriore është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si dhe me EULEX-in e KFOR-in, dhe ai ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore dhe është në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ajo tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Ndër të tjera, presidentja Jahjaga vlerësoi se Ahtisaari Plus “nuk është zgjidhje, sepse do të rrënonte të arriturat në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes”. Presidentja e Kosovës tha se kjo do “kthente prapa sukseset e mëdha të dekadës së kaluar në arritjen e paqes dhe të pajtimit në rajon”.(kosovapress)

 

© Panorama.al

Te lidhura