“Big Brother” ka arritur në fazën më të nxehtë, ku konkurrenca mes banorëve është ngushtuar në një garë, ku pritet me kuriozitet se kush nga banorët brenda do të jetë fituesi i 100 milionëve. Tashmë loja brenda shtëpisë po luhet mes Ermeles, Ogrenit, Nedës, Ergysit, Klodit, Marielit, Mirjetës, Almës e Petritit, por kush do të jetë fituesi? Të gjithë këta banorë çift, apo të vetëm po jetojnë ditët e fundit në këtë shtëpi ndërsa lakmojnë kush e më pak e kush më shumë fitoren. Ermela deri tani është konkurrentja që është votuar më shumë online, duke kapërcyer disa nominime me radhë, por se si do të zhvillohet loja më tej, kjo mbetet ende për t’u parë. Në një forum të shumicës së banorëve të eliminuar nga java në javë në BB4, flasin vetë dhe sipas opinioneve që japin ndahen në dy grupe “pro dhe kundër Ermelës”:
Ervini: Nuk ka kundërshtar të fortë për Ermelën, ajo ka instinktet e një tigri
E vendosim të parin se ka një arsye më shumë për të dhënë një opinion se kush do të jetë fituesi, për faktin se në lojë është e dashura e tij, me të cilën u njoh brenda shtëpisë, Ermela.
“Mendoj që në këtë stad, secili ka krijuar profilet e veta dhe të gjithë janë pozicionuar. Përsa i përket pretenduesit për çmim, sigurisht që mendoj se është Ermela, jo vetëm i udhëhequr nga ndjenja ime për të, por edhe nga admirimi i gjithë publikut për lojën e saj.” 33 vjeçari, i cili është kthyer tashmë në Shqipëri pas një jete që ka bërë në Tajlandë, shprehet se “Ermela ka instiktet e një tigri”. Më tej ai shton se “nuk mendoj se ka veprime nga ana e saj që mund ta penalizojnë dhe nuk mendoj që ka kundërshtar të fortë. Mendoj se vetëm ajo e meriton fitoren”.
Toros: Fiton Ermela, përfaqëson femrën reale sot
Djali 37-vjeçar nga Durrësi, por me një eksperiencë të gjatë jete në Itali përmend si lojtarë më të fortë Ermelën, Ergysin dhe Klodin. Ai pohon se “Ermela shkon në finale dhe shpresoj edhe të fitojë se me vota ajo është fituese.” Sipas tij, “loja e Ermelës është loja më e pastër dhe e sinqertë, pasi prezanton një pjesë të realitetit tonë në Shqipëri. Njerëzit e duan shumë dhe ku kam shkuar nëpër shkolla, fansat e mi e duan të gjithë. Për sa i përket Ergysit mendoj se po lufton shumë dhe shpresoj që të arrijë çdo gjë, po ashtu dhe Klodiana. Gjithashtu Toros ka dhënë komente për banorët e tjerë në lojë: “Petritin nuk e njoh, por e ka ekzagjeruar shumë me ofendimet ndaj Ermelës pasi në një lojë duhet të ruash kontrollin. Neda kujton se po bën lojë, për Ogrenin nuk dua ta paragjykoj në dobësitë që i ka dhuruar jeta, Mirjeta është një dashuri miqësore dhe mikja ime më e ëmbël, ndërsa për Almën më pëlqen që e kuptoi se kush ishin njerëzit falso atje brenda, ata që i kundërshtova unë në fillim.
Emilio: Ermela lojtare e fortë, versioni femër i Jetmirit të BB3
Futbollisti 28-vjeçar nga Korça, i ndan në femra e meshkuj fituesit. Sipas tij, pretendentja kryesore nga vajzat është Ermela ndërsa nga djemtë janë Ergysi dhe Marieli. Edhe pse ai pati një konflikt me Ermelën, nga pozitat jashtë një gare ai pohon se, “Ermela me duket vërtet një lojtare e fortë, që do ta quaja versioni femër i Jetmirit të BB3. Them se duhet ta fitojë ajo BB4, sepse bën një lojë ndryshe nga të tjerët, di kur irriton, di kur del nga situata, di kur bën oratori dhe i shkon ironia në lojë. E kam thënë që Ermela është si ato shishet e vogla të farmacisë që mbartin shumë helme dhe ndonjëherë ka bëre dhë lojë të pisët, por publiku do të shohë më shumë lojtare si Ermela, sesa një vajzë më filozofi të tepruar si Neda, apo si Ogreni që vuan nga deliri i madhështisë”. Sipas tij lojën më të sinqertë po e luan Marieli, që ai e quan një djalë të kompletuar dhe të rregullt dhe pse jo për të fituar ai çmimin e madh:
Shkëlqimi: Ermela ka guxim, ajo do të fitojë
30-vjeçari nga Vlora, shumë i spikatur në Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve pasionin e tij për muzikën e gatimin brenda shtëpisë është shprehur i sigurt në fitoren e Ermelës. “Ajo është një lojtare e vërtetë, e bën lojën shumë mirë, më pëlqen guximi, intuita, loja e saj brenda asaj shtëpie”. Më tej ai shton se, “ në këtë lojë Ermela është ajo që e ka ndarë vërtet mendjen për lojën që duhet ta arrijë deri në fund, dhe “Big Brother” do persona si ajo. Për sa u përket konkurrentëve të tjerë ai ka pohuar se një mundësi mund të jetë dhe Neda, që sipas tij është jo aq vajzë e zgjuar, më shumë sesa një person që di të të përdorë në lojë atë çfarë ka lexuar. Ndërsa për sa i përket Ogrenit, ai thotë “no comment” përveç komentit “më duket shumë i llastuar…”.
Elisa: Ermela e meriton fitoren, është e drejtpërdrejtë
Elisa, 22-vjeçarja simpatike që erdhi nga Londra për të hyrë në lojën e BB4, ka pohuar se fituese e këtij edicioni të “reality shoë” mund të jetë Ermela, “për arsyen se është lojtare shumë e fortë”. “Për mua ajo e meriton të fitojë, pasi i përballoi të gjitha nominimet dhe debatet mes banorëve, ajo bën lojë dhe i vë në lëvizje personazhet aq mirë sasa pa të mendoj se do të ishte shume e qetë shtëpia”. Duke folur për banorët e tjerë, Elisa përmend dhe Ogrenin dhe Nedën si dy pretendentë të fortë, duke theksuar se ka shumë mundësi që të fitojë edhe Neda. “Tani që jam jashtë lojës dhe mund të jap një gjykim të saktë si e mendoj theksoj se fiton Ermela, ajo e meriton me shumë nga të gjithë, pasi është shumë e drejtpërdrejtë në lojë, dhe nuk ndruhet t’ua thotë banorëve të gjitha në sy, si të mirat, ashtu dhe të këqijat”.
Jonela: Asnjë banor s’përbën rrezik për Ermelën, ajo dominon
21-vjeçarja nga Tirana, studente e Fakultetit të Drejtësisë sheh si fituese Ermelën. “Mendoj që fituesja do të jetë Ermela, duke pasur parasysh formatin që ka ky spektakël ku kryesore është të bësh “show”. Ermela është një nga banoret që ka dominuasr në debate, lojëra e shaka, dhe është e vetmja banore që është shprehur drejtpërdrejt në opinionet e saj. Ajo është perfekte dhe nuk besoj se përbën rrezik për të ndonjë konkurrenti tjetër nga ata që janë brenda. Jonela thekson se “besoj që Ermela fiton, për faktin se ajo dominon, dhe kjo është aftësia e një lojtari të vërtetë të dominojë”.
Algeni, Klaudia, Hënes kundër Ermelës si fituese
Algeni : Për mua fiton Mirjeta, Ermela ka bërë veç intriga
Algeni, ish-konkurrenti 34-vjeçar nga Lesha dhe më një jetë për t’u pasur zili në Itali e Francë, mendon se “BB4 do e fitojë Mirjeta. Sipas tij, “ajo pëlqehet më shumë dhe njëkohësisht e meriton këtë fitore, për faktin se është një vajzë shumë e pastër, e sinqertë dhe shumë funny”. Gjithashtu ai sheh si fituese edhe Almën, për faktin se e ka shitur shumë bukur historinë e jetës së saj brenda shtëpisë”. Po Ermela?! “Jo, nuk e shoh Ermelën fituese pasi mendoj se brenda shtëpisë ajo ka bërë veç intriga dhe asgjë tjetër për t’u vlerësuar. Ai shton se ajo është pjesë e grupit të matrapazëve që po luajnë brenda shtëpisë”.
Klaudia: E fiton Neda, Ermela bën lojë të pisët dhe do dalë pa çmim
Po cili është mendimi i 20-vjeçares nga Saranda, studente në degën e Shkencave Sociale. “Për mua”, thotë ajo, “ BB e fiton Neda, për faktin se më duket konkurrentja më e fortë dhe që luan pak, pra është më shumë vetvetja dhe ndaj them se nëse e fiton një femër këtë edicion, duhet ta fitojë ajo. “Për sa i përket Ermelës them se i dhuroi “show” publikut shqiptar, i kënaqi me lojën e saj, atë që dëshiroi e mori në këtë aspekt por në fund të lojës Ermela do dalë pa gjë. E them këtë pasi i konsumoi shpejt energjitë dhe lojërat e saj, ndërkohë që mendoj se bën lojë shumë të pisët. E them këtë pasi në radhë të parë është marrëdhënia njerëzore pastaj loja. “Ermela, thekson ajo, për të arritur qëllimin e saj i ka shfrytëzuar të gjithë banorët përveç Ogrenit, Nedës dhe Almës.”
Hënes: BB4 e fiton një femër, por që s’është Ermela
Hënesi nuk ka shprehur mendimin se fituese do të jetë Ermela. 24-vjeçari nga Vlora ka pohuar se, “mendoj që Ermela shkon në finale, por çmin mund ta fitojë Neda ose Petriti. Sipas meje, Ermela nuk e fiton ngaqë është vlonjate dhe besoj që nuk mund të shkojë për të tretën herë çmimi i BB në Vlorë.Ai shton se kam një ide që do të votohet Petriti si kosovar, dhe mund të ketë shumë fansa që e mbështesin. Ndërsa për Nedën, kam një përshtypje që mund të marrë çmimin ngaqë është vajzë e re, e mirë, dhe zgjuarsinë e saj ka bërë fansa për vete. Gjithsesi, shton ai, këtë herë jam 100 për qind i bindur që BB4 mund ta fitojë një femër dhe kjo mund të jetë Neda.
KLOTILDA HARKA
© Panorama.al











