“Ja pse dështova me Kombëtaren”

Sep 27, 2011 | 12:24

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka pranuar për herë të parë se ka dështuar me ekipin përfaqësues, përderisa në kualifikimet e EURO 2012 Shqipëria mbeti sërish vendnumëro. Në një intervistë për “Supersport News”, kroati ka bërë një rezyme të përgjithshme të punës së tij, duke prekur edhe rinovimin e kontratës me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Ç’mund të na thoni për ndeshjen me Luksemburgun?
Luksemburgu ishte një ndeshje e rëndësishme, por duhet thënë se qe e lidhur me Francën, kjo pasi para atij takimi ne humbëm disa lojtarë si për dëmtime, edhe për shkak kartonësh. Më pas, unë bëra edhe një gabim duke aktivizuar tre sulmues. Luksemburgu është një skuadër që mbrohet mirë dhe organizohet mirë. Dinë të bëjnë lojë të pisët, kështu që ndaj një skuadre të tillë mund ta fitonim ndeshjen në zonën e 16 metrave, prandaj mendova se duhet të luaja me shumë forca në sulm, por gabova. Tani që e mendoj, them se ishte një humbje e merituar për atë që dhamë në fushë.
Në fillim u krijua ideja se ne mund të kualifikoheshim…
Një trajner shpeshherë është edhe më optimist, madje edhe unë fillova të ëndërroj. Por pas disa rezultatesh shumë të mira: barazimi me Rumaninë dhe Bosnjën, fitorja me Luksemburgun pësova një sëmundje dhe aty nisën problemet. Nuk jam arrogant, por kundër Bjellorusisë po të kisha qenë në pankinë, të paktën nuk do kishim humbur. Ajo kohë ishte e vështirë për mua dhe familjen. Nuk e kuptoja se në çfarë gjendjeje isha. Nuk e mora seriozisht shëndetin, por pastaj e kuptova se e kisha gabim. Gjithsesi, kuptova edhe diçka tjetër: shpirtin e madh të shqiptarëve, të cilët më ndenjën pranë dhe u interesuan vazhdimisht për mua.
Pse Shqipëria është një skuadër e paqëndrueshme në rezultate?
Unë jam në Shqipëri prej më shumë se 2 vitesh. Vitin e parë pata shumë kohë, ndërtova skuadrën, zhvillova miqësore dhe vendosa t’i besoj eksperiencës. Mund të bëja revolucion, por jam i sigurt se do me paragjykonin për emrat që do të largoja. I besova Bogdanit, Skelës dhe Lalës. Duke filluar nga ndeshja me Suedinë për kualifikimet e Botërorit 2010, ne krijuam një modul solid, ekipi ishte i shpejtë dhe i rrezikshëm. Fryma në Kombëtare ishte shumë e mirë. Por pas ndeshjeve me Rumaninë 1-1, unë ndryshova modul duke luajtur me 2 sulmues. Vendosa të luaj këtë, pasi kisha dy sulmues të jashtëzakonshëm që s’mund t’i lija në stol. Por, fakt është ama se edhe aty gabova, pasi një skuadër si Shqipëria nuk mund të luajë me dy sulmues, pasi lë hapësira shumë në mesfushë dhe sulmuesit përgjithësisht nuk mbrojnë fare.
A jeni penduar për ndryshimin e formacionit në Bosnjë?
Nuk më kujtohet se çfarë kam ndryshuar, por më duket se gabimi ishte si me Bogdanin, edhe me Lilën. Por unë mendoj se gabimi më i madh ishte që nuk kontrollova rreshtimin në fushë. U tërhoqëm shumë, edhe pse i thashë skuadrës që të mos tërhiqej.
Po aktivizimi i Skelës në të djathtë?
E dija që ishte rrisk i madh për mua, me një lojtar që nuk kishte kondicionin fizik, por e futa Skelën, sepse ai mund të marrë përgjegjësi. Ne nuk kemi shumë si ai. Skela është një lojtar që e kërkon topin. Me Francën ai ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm në mbrojtje, por edhe në ndërtimin e sulmeve.
Jemi të parafundit në grup, kaq ishin mundësitë tona?
Ne donim të arrinim diçka më shumë, por nuk mund të krahasohemi me Francën, Rumaninë, Bjellorusinë. Mund të kishim lënë njërën prej tyre pas, por gjithsesi ato janë më të forta se ne.
Si e shpjegoni mungesën e shumë lojtarëve të rinj në kombëtare?
Pyetje që më është bërë shpesh pas ndeshjes me Bosnjën dhe Francën. Vendosa të vazhdoj me ata që kisha, sepse koha ishte shumë e shkurtër. Pas këtyre eliminatoreve, ka shumë kohë në dispozicion. Duhet një skuadër e re me motivim dhe fryme të re. Duhen të paktën 6-7 të rinj.
Kontrata juaj, cila është e Kuzhes?
Deri në ndeshjen me Luksemburgun, nuk kam pranuar të flas me askënd. Pas kësaj ndjeva nevojën për ta bërë këtë, sepse ndjeva detyrimin. Me njerëzit që kam folur, qoftë edhe Duka më ka këshilluar të mos flas për këtë. Tani dua të jap maksimumin në dy ndeshjet e ardhshme dhe pastaj do flasim. Mandati i dytë është shumë i vështirë, por me sinqeritet ju them se nuk e di se çfarë do të bëj.

© Panorama.al

Te lidhura