Ja plani i FSHF-së, Kuzhe qëndron, por nuk rinovon

Sep 8, 2011 | 11:29
Kuzhe gjatë një seance stërvitore të Kombëtares

Josip Kuzhe do të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare, edhe pas humbjes fatale ndaj Luksemburgut. Lajmi gjen konfirmim nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilëve kroati do vazhdojë ta drejtojë skuadrën edhe për dy takimet e mbetura për kualifikimet e Europianit të 2012-s ndaj Francës, në Paris më 7 tetor, dhe ndaj Rumanisë në Tiranë, katër ditë më vonë. Por vlen të theksohet se atij nuk do t’i rinovohet kontrata për më tej, çka do të thotë se pas 31 dhjetorit të këtij viti (data e përfundimit të kontratës), Kuzhe nuk do të jetë më trajner i kuqezinjve. Një shkarkim i teknikut, në këtë moment nuk është parë si një alternativë e mundshme, kjo edhe për faktin se edicioni është në përfundim e sipër (mbeten vetëm dy ndeshje zyrtare) dhe do të ishte i kotë emërimi i një tekniku të ri, ndërkohë që Kuzhe do të paguhej gjithsesi deri në fund të vitit. Në këtë këndvështrim është parë si më normale që tekniku të mbyllë aventurën me kuqezinjtë, sipas kontratës që ka firmosur, dhe më pas do jetë i lirë, pasi me 99.99% nuk do t’i rinovohet kontrata. Në fakt, një gjë e tillë përflitej që pas ndeshjes me Bosnjën në Zenicë, ku Kombëtarja luajti një tjetër 90-minutësh nën nivelin e kërkuar. Madje, edhe për atë Kuzhe u kritikua ashpër nga mediat për zgjedhjet që bëri (zëvendësoi Bogdanin, më i miri në fushë në pjesën e parë me Duron).

© Panorama.al

Te lidhura