Ja kërkesat e Lorik Canës për Babagjyshin

Dec 27, 2011 | 13:06

Lorik Cana pret që viti 2012 të jetë më ndryshe se ky që po lëmë pas. Ai shpreson që telashet e këtij viti të mos e përcjellin edhe vitin tjetër, ndaj beson dhe kërkon që minimalisht të luajë si titullar te Lacio. Në një prononcim për mediat kosovare (Koha Ditore), Cana ka folur edhe për grupin në të cilin ndodhet Shqipëria e kualifikimeve për 2014-n, si dhe trajnerin e ri të kuqezinjve, Xhiani de Biazi. “Si ekip jemi duke shkuar mirë, pasi jemi në mesin e skuadrave më të forta në tabelë. Jam optimist për të ardhmen që më pret te Lacio. Në të kaluarën gjithmonë kam qenë titullar i pazëvendësueshëm te cilado skuadër ku kam luajtur, ndaj jam i sigurt se edhe te Lacio do të më vijë rasti të luaj. Dëshira ime është të luaj çdo ndeshje si titullar”, është shprehur kapiteni i Kombëtares shqiptare. 28-vjeçari u transferua te Lacio gjatë verës, teksa sezonin e shkuar luajti për gjigantin turk Gallatasaraji. Me fanellën laciale ai ka shënuar edhe një gol në shtatë paraqitje në Serinë A. Ndërkohë që ka luajtur edhe 6 ndeshje në Europa Ligë. “Ne jemi ende në garë për Kupën e Italisë, po ashtu në Europa Ligë do të ndeshemi kundër Atletiko Madridit. Unë jam duke u aktivizuar dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë”, ka shtuar ai. Transferimi i tij nga Turqia në Itali u përcoll me shumë bujë, por mesfushori i përfaqësueses pati probleme për të zënë vend në përbërjen e parë, si rezultat i konkurrencës së fortë në pozicionin ku aktivizohej ai. Ndër të tjera, Cana ka folur edhe për ndeshjen eliminatore ku-ndër Zvicrës dhe për emërimin e Xhiani de Biazit si trajner i ri i Kombëtares. Për të ndeshja kualifikuese për Botërorin 2014 kundër Zvicrës do të jetë e veçantë, por jo pse te ekipi helvet luajnë pesë shqiptarë. Për Canën ka arsye krejt të tjera. “Unë e veçoj këtë ndeshje jo për faktin se aty luajnë shumë shqiptarë, por sepse stadiumi do të mbushet plot me shqiptarë. Pastaj, unë jam rritur në Zvicër dhe debutimi im zyrtar me ekipin kombëtar është bërë po në Zvicër, në një ndeshje ku kishte plot 15 mijë tifozë”, ka kujtuar Cana. Mesfushori e ka vlerësuar të vështirë grupin e Shqipërisë ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Qiproja, Sllovenia e Islanda, por ai ka besim në punën e trajnerit të ri. “Ne do ta kryejmë punën tonë për t’ia lehtësuar punën atij. Cilësia e futbollit italian është në nivel të lartë dhe sigurisht që do të takohem me trajnerin dhe do të bisedojmë rreth bashkëpunimit për të ardhmen e Kombëtares”, ka thënë Cana.

1.7 milione euro merr në sezon Lorik Cana te Lacio. Ai është një nga lojtarët më të paguar te kjo skuadër pas Miroslav Kloses, Xhibril Sisesë dhe brazilianit Hernanes.

Interesimi /Vangjeli kërkohet në Premier Ligë nga dy ekipe
Duket disi e çuditshme, por sipas menaxherit të lojtarit ka dy oferta zyrtare të dy klubeve që militojnë në Premier Ligën angleze për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli. Sipas menaxherit të tij, Uest Bromviç dhe Suonsi kanë shprehur interes për Vangjelin dhe kanë kërkuar më shumë informacione, në mënyrë që të mund të bëjnë më pas edhe ofertat e tyre zyrtare. Kujtojmë që Uest Bromviç është një nga skuadrat e mesit të tabelës në Angli (ndodhet në vend të 10-të), ndërsa Suonsi renditet në vend të 14-të. Aktualisht Vangjeli luan në kampionatin ukrainas te Çernomorets Odesa.

Lala, mes lojtarëve kult në Bundesligë
Nuk luan shumë, madje gjithnjë e më pak te Hanoveri, kjo edhe për shkak të moshës, tashmë 36 vjeç, por ai mbetet një nga lojtarët më të dashur. Së fundi, mediat gjermane kanë bërë një sondazh nga ku kanë nxjerrë 40 lojtarët kult, nga 18 skuadrat që militojnë në Bundesligë (secila përfaqësohet me nga 2 lojtarë, përveç Bajernit, Dortmundit, Verderit dhe Shalkes, që kanë nga tre lojtarë) dhe Lala nuk ka se si t’i mungojë kësaj liste. “Luan shumë pak, por mbetet një nga më të dashurit e tifozërisë së Hanoverit. Meriton të jetë në këtë listë edhe për besnikërinë 14-vjeçare ndaj kësaj skuadre”, shkruan autori i kësaj specialeje.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura