Ja cilët janë disa nga emrat Vip që kanë marrë ofertën për të qenë konkurrentë të ”Dancing”

Jan 28, 2012 | 13:35

Oni Pustina dhe Enver Petrovci janë dy fituesit e dy edicioneve të kaluara të spektaklit ‘’Dancing with the stars Albania’’, që transmetimin e ka pasur në ‘’Vizion plus’’. Tashmë organizatorët e këtij spektakli po përgatiten për radhën e tretë të edicionit që pritet të fillojë së shpejti. Sikurse edhe herët e kaluara, edhe për këtë edicion ofertat ndaj fytyrave publike kanë arritur, ndërsa ne zbulojmë disa nga pretendentët për të cilët thuhet se mund të jenë në garën e madhe të kërcimit. Edhe këtë edicion mes konkurrentëve do të ketë këngëtarë shumë të njohur, të cilët edhe pse disponojmë informacione se do të jenë pjesë e spektaklit, për shkak se nuk kanë marrë konfirmimin përfundimtar, nuk dëshirojnë të japin detaje. Nga hulumtimet që kemi bërë, gjithmonë bazuar në informacione nga të tretë, mësojmë se organizatorët e këtij spektakli kanë dërguar ofertat në adresë të këtyre artistëve. Në Maqedoni, ata kanë zgjedhur katër protagonistë, aktorin e njohur Blerim Destani, si dhe këngëtarët Adrian Gaxha, Big Mama  dhe Adelina Tahiri. Në Kosovë, oferta ka arritur në adresë të këngëtarëve Nora Istrefi dhe Ermal Fejzullahu, e ndërsa një ofertë i është bërë dhe aktores së njohur Yllka Gashi. Ende nuk është konfirmuar lista përfundimtare, sepse nuk janë bërë të ditur emrat nga Shqipëria që do të konkurrojnë në këtë edicion të “Dancing with the stars”. Pasi në dy edicionet e kaluara kanë konkurruar shumë emra të njohur, pritet që edhe në këtë edicion të ketë këngëtarë të njohur, aktorë dhe fytyra të tjera publike. Flitet se edhe këngëtarja Bleona Qereti ka marrë një ofertë për të qenë pjesë e kërcimit, por ky fakt ende nuk është konfirmuar as nga këngëtarja e as nga organizatorët. Deri në vendimin përfundimtar!

PJESËMARRËSIT E DY EDICIONEVE TË KALUARA
Rovena, Soni Malaj, Julian Deda, Eli Fara dhe Oni Pustina ishin pjesëmarësit e edicionit të parë nga Shqipëria, ndërsa këngëtarja e njohur Genta Ismajli ishte e vetmja konkurrente nga Kosova e cila arriti deri në finale, por nuk fitoi. Çmimin e parë e rrëmbeu Oni Pustina. Në edicionin e dytë konkurrentë ishin: Arian Konomi, Big Basta, Mimoza Ahmeti, Çiljeta Xhilaga Eloise le Petit, Hervin Çuli, Olsi Mingomataj, Olta Gixhari. Ndërsa konkurrentë nga Maqedonia ishte këngëtari Shpat Kasapi, nga Kosova këngëtarja Vesa Luma, misi Agnesa Vuthaj, si dhe aktori Enver Petrovci, i cili fitoi çmimin e parë në kërcim.

© Panorama.al

Te lidhura