Izrael: Ish-presidenti Katsav, shtatë vjet në burg për përdhunim

Dec 8, 2011 | 14:12

Ish-presidenti izraelit, Moshe Katsav, hyri dje në burg duke nisur dënimin me shtatë vjet që Gjykata vendosi për të, nën akuzat e përdhunimit. Ai tha se shteti po dënonte një “njeri të pafajshëm”. Katsav, 66 vjeç, u akuzua një vit me parë se kishte përdhunuar një ish-nëpunëse, kur ai ishte në kabinetin e ministrave dhe se kishte ngacmuar seksualisht dy gra të tjera gjatë mandatit të tij presidencial, gjatë viteve 2000-2007. Ish- presidenti në të gjitha seancat gjyqësore ka këmbëngulur se është i pafajshëm, dhe pas dënimit në gjyqin e shkallës së parë u lirua nga Gjykata e Apelit. Por Gjykata e Lartë vendosi kthimin e vendimit paraprak dhe dënimin e tij me burg. Katsav hyri dje në burgun “Maasiyahu” në qendër të Izraelit, i shoqëruar nga kamerat e televizioneve. Ai hyri në histori si zyrtari më i lartë izraelit që u dënua me burg. Në një deklaratë të shkurtër, ai akuzoi autoritetet se kanë injoruar provat që sipas tij do ta shkarkonin atë nga akuzat, por shtoi se një ditë “e vërteta do të dalë në dritë”. “Një ditë, juve do t’ju godasë ndërgjegjja juaj dhe do të kuptoni se keni varrosur një njeri të gjallë”, tha ai. Në mungesë të provave të pakundërshtueshme, prokurorët e formuan akuzën e tyre bazuar vetëm mbi dëshmi. Ekspertët ligjorë thanë se ngjashmëria e detajeve të treguara nga të tria akuzueset, të cilat nuk e njihnin njëra-tjetrën, bën që rrëfimi i Katsav të rezultojë i pavërtetë. Autoritetet e burgut thanë se ai do të vendoset në një sektor special të “Maasiyahu”-t, ku qëndrojnë hebrenjtë dhe do ta ndajë qelinë me ish-ministrin e kabinetit, Shlomo Benizri, i cili është dënuar për marrje ryshfeti. Ish-presidenti, i cili u shoqërua nga i biri deri te porta e burgut, do të ruhet në kushte të larta sigurie. Gjatë procesit gjyqësor, 66-vjeçari Katsav, i lindur në Iran, akuzoi prokurorët dhe median se po planifikonin shkatërrimin e tij, sepse ai nuk i përkiste elitës me prejardhje nga Europa në vend.

© Panorama.al

Te lidhura