“Iu cenua dinjiteti!”- Arrestimi i Ilir Metës, Avokatja e Popullit: Mënyra e ndalimit ishte në kundërshtim me ligjin! Shkeljet e kryera nga Policia e Shtetit

Oct 30, 2025 | 18:39

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë ku raportoi për veprimtarinë e institucionit që drejton për vitin 2024, iu përgjigj pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në lidhje me shkeljet ligjore gjatë momentit të arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.

avokatja e Popullit, Erinda Ballanca (2)

Ballanca sqaroi se Avokati i Popullit ka dërguar një rekomandim në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, lidhur me mënyrën se si është kryer ndalimi i ish-presidentit.

Ajo theksoi se nuk janë konstatuar shkelje nga institucionet e drejtësisë, por nga Policia e Shtetit, pasi nuk është ruajtur dinjiteti njerëzor i Metës.

Ballanca shtoi se tjetër shkelje ishte përdorimi i forcave speciale pa justifikim, ndonëse ligji parashikon ndërhyrje të tilla vetëm kur ka rrezikshmëri të shtuar për individin.

“Në të gjithë diskutimet, ngado që të shikohej si çështje, është një nga ato çështje e cila duhet trajtuar me shumë seriozitet sepse jo vetëm për dinjitetin e Metës, por për çdo qytetari, do të ishte i cenuar nëse arrestimi do të bëhej në atë mënyrë”, deklaroi Ballanca në Kuvend.

Pyetje nga Tedi Blushi: Cilave institucione dhe çfarë masash iu keni rekomanduar lidhur me gjetjet shumë të rënda të Avokatit të Popullit mbi rrëmbimin kriminal të ish-presidentit Ilir Meta? Sipas konstatimeve tuaja, cilat janë institucionet e drejtësisë që kanë shkelur ligjin dhe kanë dhunuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventat Evropiane për të Drejtat të Njeriut.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca: Ne kemi drejtuar një rekomandim në lidhje me momentin e arrestimit të zotit Meta. I kemi drejtuar një rekomandim Policisë së Shtetit dhe ministrisë së Brendshme. Nuk kemi gjetur shkelje të institucioneve të drejtësisë në atë rast edhe sepse kemi një mandat shumë të kufizuar për sa i përket institucioneve të drejtësisë. Avokati i Popullit nuk mund të merret me vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë, por sa i përket Policisë së Shtetit kemi gjetur disa shkelje, jo të tëra pretendimet e paraqitura kanë qenë të bazuara, një pjesë e tyre nuk ka qenë e bazuar.

Ajo që ne kemi identifikuar më së fundmi është se mënyra e ndalimit është bërë në kundërshtim të ligjit përkatës, sepse nuk është ruajtur dinjiteti njerëzor i z.Meta.

Në të gjithë diskutimet, ngado që të shikohej si çështje, është një nga ato çështje e cila duhet trajtuar me shumë seriozitet sepse jo vetëm për dinjitetin e Metës, por për çdo qytetar, do të ishte i cenuar nëse arrestimi do të bëhej në atë mënyrë.

Një gjetje tjetër është që ne patëm është se për rastin konkret kishin ndërhyrë forcat speciale ndërkohe që me ligj forcat speciale ndërhyjnë vetëm në rastet kur ka një rrezikshmëri të shtuar për individin. Me gjithë se ishte marrë ky vendim, nuk kishte asnjë justifikim nga Policia për përdorimin e forcave speciale në rastin konkret.

Kishte edhe problematikë me shenjat dalluese dhe uniformën e cila duhet të përdorej nga forcat speciale. Në tërësinë e tij, për shkak edhe të dy dokumenteve që kemi gjetur të firmosura nga Meta, ai nuk ka pretenduar dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit, as kur është futur në Policinë e Tiranës, as në sallat e sigurisë.

© Panorama.al

Te lidhura