Italia nën alarm përmbytjesh, nisin evakuimet pranë lumit Po

Nov 7, 2011 | 11:32

Italia është nën alarmin e përmbytjeve e rrëshqitjeve të tokës që nga Veriu deri në Jug. Ndërsa një ditë më parë reshjet ishin alarmuese vetëm në pjesën veriore të vendit, dje ato kanë përshirë edhe pothuajse të gjithë pjesën e Jugut, duke shkaktuar vdekjen e një personi në Napoli. Situata është gjithnjë e më alarmuese, nivelet e lumit gjigant Po janë rritur përtej të lejueshmes dhe qeveria italianë ka nisur evakuimet e personave që banojnë pranë brigjeve të tij. Në Xhenova qindra njerëz po gërmojnë tokën për të liruar kanalet që thithin ujin, në kërkim të kthimit në normalitet, pas përmbytjeve vdekjeprurëse të së premtes. Shtatë persona humbën jetën nga vërshimi i paparashikuar i ujit nëpër rrugë, mes tyre tre shqiptarë. Tani moti i keq ka mbërthyer në të gjithë Italinë, që nga Veriu në Jug. Në Napoli, një burrë humbi jetën pasi i ra një pemë. Alarmi është ndezur edhe në Piemonte, ku niveli i Lumit Po i ka kaluar 5 metrat e sigurisë. Po ashtu edhe në Piaçenca. Ura në Bertenja është shembur. Ndërsa në Aleksandri disa rrugë janë bërë të pakalueshme nga uji e llumi, madje edhe rrëshqitjet e tokës. Në këtë qytet janë evakuuar 500 persona. Në qytetin Specino është ndezur alarmi i shembjeve. Një pjesë e madhe balte është shkëputur mes Ponte Savinjones dhe Kasellas. Lëvizja e tokës ka provokuar prishjen e tubacioneve të gazit metan në komunat e Kasellas e Montoxhios. Këto zona mund të mbeten të izoluara për disa muaj, pa mundësi kalimi në rrugën e shkatërruar nga shkëputja e tokës nën të. Mes Ligurias e Piemontes janë evakuuar 1850 persona. Shiu vazhdon të bjerë dhe parashikimet e meteorologëve thonë se situata do të vazhdojë të mos ndryshojë deri ditën e mërkurë, ku pritet që të ketë një frenim të përkohshëm të reshjeve të shiut.

Viktimat shqiptare
E premtja e 4 nëntorit është “pagëzuar” e mallkuar në Itali. Përmbytjet masive u rikthyen në po të njëjtën datë, pas 45 vitesh. Vërshimi i ujit në Xhenova, ditën e premte të javës së kaluar, mori jetën e shtatë personave, mes të cilëve tre shqiptarë. Një nënë 29-vjeçare dhe dy fëmijët e saj u mbytën më katër nëntor në këtë qytet.

© Panorama.al

Te lidhura