
Tragjedia në brigjet italiane në anijen “Costa Concordia”, ku humbën jetën 6 persona dhe 16 të tjerë rezultojnë të zhdukur, ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor. Kapiteni i anijes, Francesco Schettino, 52 vjeç, u arrestua me akuzat e vrasjes së shumëfishtë dhe braktisjes së anijes para pasagjerëve. Dje në mëngjes u gjet trupi i gjashtë i pajetë. Në një komunikatë për mediat, kompania e kroçerave ka fajësuar kapitenin e anijes për atë që ndodhi. “Nuk ka respektuar standardet që ofron ‘Costa Concordia’”, thuhet në njoftim. Kapiteni ka kaluar shumë afër ishullit Giglio derisa ka goditur rripin shkëmbor, i cili ka shkaktuar një çarje 70 metra të trupit të anijes. Sipas mediave italiane, kuzhinieri i anijes ishte nga ky ishull dhe duke bërë shaka me të ai i kishte thënë: “Ja tani do të kalojmë mbi Giglion tënd”. Për paralajmërimin se ishin shumë afër ishullit, ishte shumë vonë. Anija “Costa Concordia”, e krijuar në vitin 2006, e cila për nga luksi ishte krahasuar me Titanikun, vazhdon të zhytet dalëngadalë nën ujë. Udhëtarët në anijen e pushimeve ishin kryesisht nga Britania dhe Franca, por edhe nga vende të tjera. Mediat britanike shkruajnë se sipas postimeve në “Facebook”, kapiteni Schettino është italiani më i urryer në botë.











