Një nënë e re shqiptare ka vdekur në një maternitet të Italisë pak orë pasi kishte lindur fëmijën e saj. Shtetasja e identifikuar nga mediat italiane me emrin Marsida, 19 vjeçe, e cila kishte mbërritur në Itali në vitin 2010 duke u bashkuar me të shoqin Artanin, 30 vjeç, u bënë prindër nga lindja e fëmijës së parë. Ata jetonin prej dhjetë vitesh në Itali, ndërsa vajza e re e ka lindur në mënyrë të shëndetshme të bijën, me peshë normale 3.2 kg. Tragjedia ka ndodhur 12 orë më pas, kur nëna e re ndërroi jetë për shkaqe ende të paqarta. Ngjarja, sipas mediave italiane, ka ndodhur në spitalin e Miranos në Venecia. Sipas medias, lindja ndodhi të mërkurën, rreth orës 17:20. E reja nga Shqipëria solli në jetë një vogëlushe të shëndetshme e gjithçka duket se shkon më së miri, Artani qëndron me të shoqen e të bijën në spital deri vonë e në darkë kthehet në shtëpi. “Marsida ndihej shumë mirë, – kujton më pas i shoqi, – ndenja me të deri nga ora nëntë e gjysmë e pastaj shkova në shtëpi”. Gjatë natës, rreth orës 2:30, i shoqi telefonohet nga spitali dhe një mjek i jep lajmin e hidhur e të papritur se e shoqja i vdiq. Bashkëshorti i viktimës shkoi me vrap në spital dhe u kërkoi sqarime mjekëve dhe infermierëve, që i gjen rreth krevatit të së shoqes. Ajo që dihet deri tani është se e shoqja kishte kërkuar ndihmë rreth mesnatës, sepse papritur ishte ndier keq, shkruante dje “Shqiptari i Italisë”. Mjekët fillimisht i kanë bërë një masazh kardiak e pastaj e kanë futur në sallë të operacionit, duke dyshuar për një hemorragji të brendshme, por nuk kishin gjetur asgjë problematike, të paktën sipas versionit të tyre. Situata është përkeqësuar edhe më shumë dhe në ora 2 pas mesnate, kur gruaja gjeti vdekjen. Mediat raportojnë se ende nuk thuhet asgjë mbi shkakun e vdekjes së 19-vjeçares. Sipas njoftimeve, ditën e enjte, i shoqi i gruas, Artani, vendosi ta denoncojë ngjarjen pranë karabinierëve, që kanë hapur hetimet e kanë kërkuar që gruas së re t’i bëhet autopsia me qëllim përcaktimin shkencor të shkakut të vdekjes.











