Itali, shqiptari mbyt gruan me jastëk, më pas vret edhe veten

Sep 7, 2011 | 11:00

ITALI – Vendimi për divorc, i marrë nga gruaja pa pëlqimin e bashkëshortit, ka shkaktuar një krim në familjen e dy emigrantëve shqiptarë që jetonin në Monza të Italisë. Mëngjesin e djeshëm, burri ka mbytur gruan duke i vendosur jastëkun në fytyrë. Më pas, autori i ngjarjes është vetëvarur. Dy bashkëshortët u gjetën të vdekur në mëngjes nga pronarët italianë të shtëpisë, ku ata ishin të punësuar burri si kopshtar dhe gruaja si pastruese. Sipas mediave italiane, viktimat janë Pjerin dhe Lindita Pjetri, përkatësisht 44 dhe 37 vjeç, prindër të dy fëmijëve të mitur, 3 dhe 5 vjeç. Çifti shqiptar jetonte prej vitesh me dokumente të rregullta në Itali dhe ishin punësuar në vilën Briosco, në Momza, ku ndodhi ngjarja. Ndërsa për fëmijët e tyre, gjatë kohës që ata ishin në punë, kujdeseshin të afërmit e çiftit, që ndodhen disa kilometra larg vendit të ngjarjes. Kanë qenë të afërmit e tyre ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kishin gjithë natën që tentonin të flisnin me ta në telefon dhe asnjëri nuk përgjigjej. Gjithashtu ata dyshonin se diçka mund të kishte ndodhur, pasi marrëdhëniet mes çiftit Pjetri ishin mjaft të tensionuara për shkak se gruaja kishte kërkuar divorcin dy muaj më parë, ndërsa bashkëshorti i saj nuk pranonte që të ndaheshin. Më pas kanë qenë edhe pronarët e shtëpisë, të cilët kanë lajmëruar policinë kur kanë parë trupat e pajetë të bashkëshortëve. Të zotët e shtëpisë kanë treguar në polici se gjatë orëve të vona të natës kishin dëgjuar debat me zë të lartë mes Pjerinit dhe Linditës, por nuk kishin ndërhyrë duke menduar se ishte një konflikt mes bashkëshortëve. Por më pas zhurma kishte pushuar dhe ata kishin fjetur. Sipas tyre, ky mund të ketë qenë momenti kur burri e ka mbytur të shoqen duke i vendosur jastëkun në fytyrë dhe ajo ka vdekur. Policia, kur mbërriti në vendin e ngjarjes, gjeti dy kufoma pranë njëra-tjetrës. Sipas mediave italiane, pasi kishte vrarë të shoqen, Pjerin Pjetri kishte varur një litar në tavan, pranë krevatit ku ndodhej e vdekur e shoqjam dhe aty ishte vetëvarur.

© Panorama.al

Te lidhura