Skuadrat e shpëtimit në ishullin italian të Giglios kanë pezulluar të mërkurën kërkimet për të mbijetuar apo trupat e mbytur në anijen “Costa Concordia”, pasi anija nisi të lëvizë duke u zhytur më thellë. Deri tani janë gjetur trupat e 11 personave të vdekur dhe mbi 25 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Deri tani, fajtor për tragjedinë është cilësuar kapiteni i anijes, Francesco Schettino, 52 vjeç, i cili doli në arrest shtëpie një natë më parë. Ai është akuzuar për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia, për mbytjen dhe braktisjen e anijes. Mediat kanë publikuar dialogun e regjistruar të Schettinos me rojën bregdetare italiane, që i ka kërkuar atij shumë herë, madje edhe me tone të larta, të kthehej në anije dhe të kujdesej për pasagjerët e tij. Por kapiteni ishte larguar me varkat e shpëtimit, duke lënë qindra pasagjerë pas, në mëshirë të fatit. Sipas “Corriere della Sera”, rreth 300 persona të paaftë të kujdeseshin për veten, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar, janë braktisur në anijen që po mbytej.











