ROMË- Ekonomisti i njohur, Mario Monti, tashmë edhe i ngarkuari me funksionet e kryeministrit të Italisë ka nisur konsultimet për krijimin e qeverisë së re. Pas të paktën 17 takimeve me politikanë të lartë italianë dje,
Presidenti Xhorxhio Napoletano i kërkoi Mario Montit të formojë një qeveri të re. Përbërja e kabinetit të ri pritet të njoftohet sot. Analistët thonë se ajo do të ketë përpara një sfidë tepër të vështirë. Qeveria e Italisë ka një borxh sa 120 për qind e prodhimit të brendshëm të vendit. Rritja ekonomike e Italisë ka mbetur në vend për rreth një dekadë e gjysmë.
Ish komisioneri i Bashkimit Evropian tha se do të luftojë për rritjen ekonomike të vendit dhe për të rigjallëruar krenarinë e Italisë.
“Synoj ta përmbush këtë detyrë me përgjegjësi të lartë dhe në shërbim të vendit tonë”, tha ai. “Në këtë moment veçanërisht të vështirë për Italinë, në një situatë të turbullt për Evropën dhe botën”, shtoi ai, “vendi duhet t’i përgjigjet sfidës”.
Ish partnerët e koalicionit, Partia Liga Veriore, ka refuzuar ta mbështesë Montin si kryeministër dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Analistët thonë se kjo është shenjë që tregon se kryeministri i ri ka përballë një sfidë të vështirë në zbatimin e paketës së masave shtrënguese ekonomike që u miratua nga parlamenti javën e kaluar për të ulur borxhin e madh publik të Italisë.
Emërimi i Mario Montit si kryeministër i Italisë vjen në më pak se 24 orë pas dorëheqjes së Silvio Berluskonit, i cili u fërshëllye nëpër rrugët e Romës.
Interesi i huasë së Italisë u ngrit shumë javën e fundit dhe investitorët e bërë të qartë se donin dorëheqjen e zotit Berluskoni nga posti. Ai iu drejtua vendit me një fjalim në televizion dje.
“Italia është mes themeluesve të Bashkimit Evropian”, tha ai. “Ne do të jemi gjithmonë në shërbim të Italisë. Atyre që festuan largimin tim nga skena, dëshiroj t’u them qartë se unë do të dyfishoj përpjekjet e mia në parlament dhe në institucione për gjallërimin e Italisë”.
Analisti politik Klaudio Borgi thotë se problemet e Italisë janë shumë të mëdha për t’u zgjidhur vetëm nga qeveria e re.
“Duhet të mendojmë në se ky është një problem i Italisë, paso një problem i arkitekturës së borxhit të euros që duhet të ndryshojë thellësisht? Natyrisht që Italisë i duhet e bëjë shumë reforma, por për momentin duhet adresuar gjendja aktuale që nuk pret”.
Investitorët do të ndjekin këtë javë tregjet financiare këtë javë për reagimet ndaj masave që do të marrë Monti në përgjigje të gjendjes ekonomike të Italisë. (voa)
© Panorama.al











