NGA ERVIN GJADRI
Ndodh që shpeshherë më kthehen në kujtesë muajt e pushimeve të stinës së verës, kur isha në klasën e 8-të, por edhe më vonë gjatë viteve të para të gjimnazit kur jo rrallë, ndodhte që babai më merrte me vete në shërbimet e shpeshta ngado në Shqipëri, ku ai bashkë me shokët e kolegët e tij ndiqnin punimet e objekteve të inxhinierisë. Gjithmonë, e mendoj se kam qenë i privilegjuar që një pjese të rinisë time e kam kaluar me shokët dhe kolegët e babait, njerëz që idealin dhe profesionalizmin e blatuan pa asnjë kusht për ndërtimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj.
Në fillim nuk e kuptoja, por me kalimin e kohës u bëra gjithnjë e më shumë i ndërgjegjshëm, pasi ishte fat të dëgjoje apo bashkëbisedoje me ing. Farudin Hoxhën, Ismail Ahmetin, apo të kaloje pushimet në plazhin e Durrësit me ing. Emin Musliun, prof. Petrit Radovickën e familjet e tyre. Shkak për të shkruar këto radhë u bë ndarja nga jeta e ing. Ismail Ahmetit, ndërtuesit të mrekullueshëm, njeriut që ja kushtoj gjithë jetën e tij ndërtimit dhe funksionalizimit të Hidrocentraleve kryesore të vendit. Personalisht ndjej trishtim e keqardhje të thellë për faktin se i ndjeri Ahmeti nuk ishte vetëm, kolegu e bashkëpunëtori i ngushtë i tim ati, por miqësia e tyre ishte aq e ngushtë e këtu nuk e ekzagjeroj nëse do të them se ata pothuajse e konsideronin vëllezër njëri-tjetrin. Ajo miqësi jo vetëm i rezistoi e dëlirë kohës, por u sprovua në sfida sublime për ndërtimin e vendit. Kjo miqësi lindi e u forcua për afro 40 vjet me radhë në frontin e vështirë të ndërtimit të veprave madhore në Shqipëri, siç ishin hidrocentralet e Kaskadës së Drinit.
Kam pasur fatin ta takoj e bisedoj shpeshherë me të, si në kantierin e ndërtimit në Hidrocentralin e Fierzës, objektin ku ing. Ismaili ishte drejtuesi teknik i zbatimit të punimeve dhe atë të Komanit, ku ishte caktuar drejtori i zbatimit të punimeve; por edhe gjatë darkave në shtëpinë tonë, kur diskutonin me tim atë, deri në orët e vona të natës për problemet e punës, por edhe për vështirësitë e shumta që lindnin natyrshëm gjatë ndërtimit të veprave madhore, siç ishin hidrocentralet në kaskadën e Drinit. Edhe tani që ndërroj jetë, ing. Ismail Ahmetin do mbetet në kujtesën time si një nga drejtuesit më të shkëlqyer, më të zotë në ndërtimin e veprave madhore të ndërtuara në vendin tonë, siç ishin Hidrocentralet e kaskadës së Drinit por edhe në të gjithë Shqipërinë, ashtu si edhe kohën, kur ai u zgjodh në postin e Ministrit të Ndërtimit. Ai ishte jo vetëm një drejtues teknik shumë i zoti por edhe një organizator i shkëlqyer i drejtimit e organizimit të punës. Duhet theksuar se ing. Ismaili për nga vetë karakteri e personaliteti i tij i fortë kishte pamje tepër serioze e të rreptë, por pas pamjes së jashtme fshihej një njeri i mrekullueshëm, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte e përkrahte miqtë: shokët, inxhinierët e punëtorët në çdo situatë e rrethanë.
U gjendej pranë në çdo hall që ata kishin e si rrjedhojë, si në rastin e Hidrocentralit të Fierzës dhe Komanit, por edhe kur u ngarkua me detyrën e ministrit të Ndërtimit, arriti të gëzonte respektin e dashurinë e te gjithëve. Të gjitha këto më vinë ndërmend në këtë kohë, kur injoranca dhe banaliteti, ka depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, ndaj ikja nga kjo jetë e burrave si Ismail Ahmeti ndjehet më një peshë tejet të rëndë. Atë të humbjes së modeleve të gjalla. Padyshim që kujtimi i Ismail Ahmetit do jetë i përjetshëm e i paharruar jo vetëm për kontributin e tij të paçmuar e kryesor në ndërtimin në ndërtimin e Shqipërisë, por edhe për ndershmërinë e trimërinë që e karakterizonte. Por, më qartë se çdo gjë, ky moment shprehet me nderimin që përcjell kultura e pareshtur në Shkodër, qytetin ku ai lindi e u rrit e që e donte aq shumë. Atje, shprehen shkurt por thellë:
Dritë i pastë shpirti!
*I nipi dhe i biri i inxhinierëve të shquar të vendit, Ing. Gjovalin dhe Ing. Egon Gjadri.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al















