Isli Hidi largohet nga Olimpiakos Nikosia

May 20, 2011 | 10:40

Isli Hidi, nuk është më portier i skuadrës Olimpiakos Nikosia, në kampionatin qipriot të futbollit. Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtuesit, në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit. Shkak janë bërë aktivizimet e pakta që lojtari ka pasur gjatë pjesës së dytë të këtij sezoni, si dhe e ardhmja aspak e qartë tek kjo skuadër. Sipas mediave qipriote “Protathlima.com”, Hidi ka arritur të gjejë një akord me presidentin e Olimpiakosit, Peter Savas, për mos vazhdimin e kontratës, duke marrë një pjesë parash dhe dokumentacionin për t’u konsideruar nga dita e mërkurë si një futbollist i lirë. Ndeshja e fundit që Isli Hidi ka luajtur me Olimpiakos Nikosia, ka qenë ajo e 6 marsit 2011, në transfertë ndaj APOP Kiniras, të fituar 1-3. Pas këtij takimi, edhe pse ekipi ka luajtur dhjetë ndeshje me kampionatit dhe Kupës, Hidi, në mjaft raste nuk ka qenë as në stol. Një arsye sipas mediave qipriote për “harrimin” e tij në pankinë, ka qenë edhe ndryshimi i “timonierit” të ekipit. Pas eliminimit në gjysmëfinale të Kupës nga Apollon, presidenti largoi nga drejtimi trajnerin Pambos Kristodholos. Tekniku i ri nuk e konsideroi për asnjë moment ish-portierin kuqezi, duke e detyruar që në fund Hidi të largohej. Tanimë, dilema e vetme është rikthimi në Superiore, ose akomodimi në ndonjë klub tjetër të huaj. Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, por dëshira e lojtarit mbeten gjithnjë kampionatet e huaja, ndërsa Superiorja do të ishte alternativa e fundit, kjo vetëm në rast se në fund të merkatos verore do të mbetej pa skuadër.

© Panorama.al

Te lidhura