
Deputeti socialist, pjesë e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, i përgjigjet kreut të PS
“S’i shitet moral dikujt që moralin e ka pikën më të fortë”
Deputeti socialist, Kastriot Islami, replikon me kreun socialist ndaj editorialit të tij, ku sulmon ish-presidentin Rexhep Meidani. Duke e cilësuar “një replikë e detyruar nga LMN”, Islami i drejton disa pyetje kreut socialist Rama, ku kërkon shpjegime rreth moralit të koalicionit në 2007 me Ilir Metën dhe LSI-në për zgjedhjet e pushtetit vendor, e ku Rama mori mandatin e tretë, por edhe rreth të ardhmes së këtij bashkëpunimi, duke filluar nga zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Deputeti socialist shprehet se ish-presidenti në analizat e tij tregon vetëm moral, ndërsa e quan të pamoralshëm sulmin që Rama i bën Meidanit. “Kur Rama flet për çështje morale me ish-presidentin Meidani, ka parasysh koalicionin Rama-Meta apo PS-LSI? E thënë më thjesht, Rama konsideron të pamoralshme Metën apo 120 mijë votuesit e LSI-së? Pra, Rama nuk bashkohet për arsye morale dhe vazhdon të mbajë PS-në në opozitë se nuk mund të bashkohet me Metën apo me LSI-në? Është jo vetëm e pasaktë, por edhe e pamoralshme që Rama të pretendojë se na bëka analiza politike e morale, ndërkohë që prof. Meidani që njihet e perceptohet publikisht për integritet dhe moral shumë të lartë, na bëka analiza aritmetike. Kjo nuk është e moralshme, që t’i shesësh moral personit që si pikën më të fortë ka integritetin dhe moralin dhe të tallesh duke i thënë se flet aritmetikisht, ndërkohë që kapaciteti yt aritmetik është i ulët…”, shprehet Islami. Sipas tij, selia rozë ka kohë që sulmon ish-presidentin socialist. “Nga përsiatjet javore (tanimë të çrregullta), që shoqërojnë tutimet (në shqip: cicërimet) e Ramës, lidhur me bashkimin e së majtës, por që në fakt përbëjnë kritika direkte ndaj Meidanit, pas sulmit banal të organizuar në Kongresin e fundit të PSSH-së, do të shtroheshin këto pyetje: “Përse për interesin e tij për t’u zgjedhur në bashki Rama bëri koalicion me Metën në 2007, gjë që nuk e bëri në 2009? Këtë radhë kishte arsye morale dhe cilat ishin? Çfarë ndryshoi në 2009 që Rama pasi kishte bërë koalicion për interesin e tij personal në 2007, nuk arriti të bashkonte të majtën siç kishte premtuar në zgjedhjet e përgjithshme? Përse në librin e tij ‘Kurban’ (nuk e kam lexuar librin, por nga shtypi kam lexuar pjesën që flet për Metën), që e boton në 2011 dhe pasi e ka denigruar Metën për dy vjet me radhë, i jep një mundësi të dytë ‘për t’u bashkuar’? Çfarë elementi moral do të mund të ndryshonte Meta që të bëhej i pranuar nga Rama, dhe kështu të mund të fitonte ‘shansin e dytë për t’u bashkuar me Ramën?’”, shprehet Islami. Duke parë strategjinë e ardhshme të PS-së për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s, Islami i kërkon Ramës të sqarojë se çfarë do të bëjë me Metën dhe LSI-në nëse votat e marra do të kërkonin domosdoshmërisht një bashkëpunim me të, që të mundte të merrte pushtetin. “Nëse nga zgjedhjet e 2013-s do të rezultojë një rezultat i tillë që me mandatet e fituara nga PS-ja dhe me mandatet e fituara nga LSI do të mund të formohet maxhorancë qeverisëse, a do të pranojë PS-ja të bëjë koalicion me LSI-së (sigurisht që kjo do të varej nga LSI, por pyetja shtrohet cili do të ishte pozicioni i PS-së) për të sjellë socialistët në pushtet? Apo thjesht për arsye morale do ta refuzojë dhe do t’i lerë socialistët edhe katër vjet në opozitë? Po t’i referohemi rezultatit zgjedhor në 10 vitet e fundit dhe sidomos tri humbjeve të së majtës së përçarë në 2005, 2009 dhe 2011, dhe fitores në 2007 të së majtës së bashkuar, a do të pranonte PS-ja thjesht për arsye morale të vazhdonte të qëndronte në opozitë, duke paraqitur si arsyetim çështjen e mospërputhjes së moraleve të Ramës me atë të Metës?”, pyet Islami kreun e PS-së për të ardhmen e bashkëpunimeve.
© Panorama.alLuan Rama: S’kemi kohë të merremi me humbësin Edi Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim reagon pas deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama, i cili tha se nuk ka justifikim moral për t’u bashkuar me Ilir Metën. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje në një konferencë për shtyp se është humbje kohe të merresh me deklaratat e liderit të opozitës. “Thashë pak më parë që çështjet me të cilat ne po merremi janë shumë më të rëndësishme dhe që lidhen me jetën, me cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmes së tyre europiane. Nga kjo pikëpamje, më lejoni të përsëris dhe një herë me shumë realizëm dhe me shumë modesti që nuk kemi kohë të humbasim me lajthitjet dhe halucinacionet e një humbësi të pakorrigjueshëm, apo të një humbësi profesionist”, u shpreh Luan Rama. Duke folur për zgjedhjet në strukturat e LSI-së, ai tha se: “Natyrisht që kjo fazë ka një synim: Fitorja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme politike në vitin 2013, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër, jo vetëm të konsolidojë atë rezultat spektakolar që arriti Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale, por edhe ta zgjerojë dhe ta rrisë peshën dhe mbështetjen politike dhe elektorale të qytetarë shqiptarë ndaj LSI-së, jo vetëm si forcë politike, por ç’është më e rëndësishmja, si një alternativë realisht europiane, si një alternativë realisht pranë dhe në shërbim të qytetarëve”.












