Islami: OSBE apelon për kthim në gjuhën e dialogut

Sep 11, 2011 | 11:16

Ambasadori Eugen Volfarth paraqiti në Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë në emër të Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Raporti i lexuar integralisht: i) bën një paraqitje realiste të situatës në Shqipëri; ii) përbën një analizë të thellë e racionale të shkaqeve; dhe iii) jep mesazhe për të ardhmen.  Mesazhi kryesor i këtij raporti për lidershipin politik shqiptar është: “Zgjidhni e merrni” midis “reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar, apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik”. Po evidentoj më poshtë disa nga momentet kryesore të raportit…
1. Arritja më e madhe: Heqja e vizave… Raporti evidenton me të drejtë se “nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte, pa diskutim, heqja e regjimit të vizave për qytetarët me pasaporta biometrike më 15 dhjetor 2010”.
2. Çështja më shqetësuese politike: ngërçi politik dyvjeçar… Çështja që ka shqetësuar më shumë shqiptarët e ndërkombëtarët gjatë dy viteve të fundit është, padyshim, “vazhdimi i ngërçit politik që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009” dhe si pasojë e të cilit “rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash…”.
3. Vlerësimi për zgjedhjet vendore: Lexoni raportin e ODHIR-it në tërësi jo sipas qejfit… Kërkohet që “të gjitha palët politike ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementet që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë. Rekomandimet e zgjedhjeve 2011 si dhe ato të raportit të vitit 2009, “… duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore…”.
4. Reforma zgjedhore: teknikisht e shëndoshë, e konsultuar dhe konsensuale… Përsa i përket reformës zgjedhore, kërkohet “…që të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak…”. Për OSBE-në, një reformë e plotë duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e panxituar; dhe c) sa më konsensuale. Në këtë kontekst kërkohet një kod zgjedhor “të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj”. Sipas OSBE-së, tri sfida mund të pengojnë/frenojnë amendimin e Kodit Zgjedhor: i) përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor; ii) zvarritja e shpeshtë e reformave të mëparshme zgjedhore; dhe iii) zgjedhja e Presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012. Mbi këtë bazë, OSBE sugjeron “një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës…”.
5. Ngjarjet e 21 janarit: Protesta e PS-së çoi në përleshje të dhunshme dhe vdekjen e 4 vetave… Për ngjarjen e 21 janarit 2011 në raport thuhet se “një protestë e organizuar nga PS çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e së cilës vdiqën katër veta dhe u plagosën shumë të tjerë…”. Nga ana tjetër, “gjuha më e ashpër e përdorur ndonjëherë publikisht së fundi nga të dyja palët, jo më pak edhe nga qeveria në sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe prokurores së Përgjithshme veçse acaruan edhe më tej një situatë tanimë të tensionuar”. Po ashtu thuhet se “…deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as komisioni hetimor parlamentar nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të prekshëm…”.
6. “Kritikat” për opozitën: duke bojkotuar nuk kreu detyrën kushtetuese dhe nuk bashkëpunoi për reformat… PS kritikohet fuqimisht për bojkotin duke thënë se “me gjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat…”. Bojkoti klasifikohet indirekt si mosplotësim i detyrave kushtetuese “për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur, për zgjedhjet për qeverinë vendore…”.
7. “Kritikat” për maxhorancën: duhet të bëjë më shumë për një klimë gjithëpërfshirëse… Për bashkëpunimin midis opozitës e maxhorancës, në raport kërkohet që “tani e tutje opozita duhet të tregojë një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend..”, por, nga ana tjetër, “…më shumë duhet të bëhet nga Kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse”… Gjithashtu kërkohet që ndryshimet e rregullave të brendshme të Kuvendit “të miratohen me konsensusin e të dyja palëve…”.
8. “Bllokimi” i institucioneve: pasojë e ngërçit politik… Sipas raportit, “ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës pamundësinë për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit që kërkojnë një shumicë të cilësuar…”. Konkretisht bëhet fjalë për projektligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që nevojitet për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligjin për gjykatat administrative, që nevojitet për ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Po ashtu, zëvendësimi i dy të tretave të nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë plotësisht dhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese situata ka mbetur e paqartë; në raport kërkohet që “Kuvendi t’i japë një zgjidhje kësaj çështjeje”.
9. Amendimet Kushtetuese: të vendosin aktorët vendas. Në raport thuhet se “janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese…”, por “…këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës…”. OSBE gjykon se “…duhet të jenë aktorët vendas ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment”. Për OSBE-në, “objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas”.
10. Çështja gjyqësore e Gërdecit: Publiku i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja… Në raportin e OSBE-së thuhet se “procesi gjyqësor i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë” dhe më konkretisht thuhet se “mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor”. Në këtë situatë kërkohet që “autoritetet e sistemit të Drejtësisë të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen në afate të arsyeshme të seancave gjyqësore dhe të një gjykimi të drejtë”, duke përfunduar se “publiku mbetet i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja e kësaj çështjeje”.
11. Reforma e administratës publike: problematike… Lidhur me procedurat institucionale për: i) marrjen në punë; ii) ngritjen në detyrë; iii) vlerësimin;  iv) heqjen nga puna të zyrtarëve të administratës publike në raport theksohet kërkesa për “një forcim të mëtejshëm të transparencës dhe shtetit të së drejtës”. Gjithashtu vlerësohet se “Komisioni i Shërbimit Civil vazhdon të mos jetë në gjendje të luajë plotësisht rolin e tij…” dhe që “një pjesë e madhe e vendimeve të formës së prerë të gjykatës mbi ligjshmërinë e pushimeve nga puna ende nuk janë zbatuar”.
12. Reforma e pronës: ende pengesë për investimet dhe huamarrjen private e publike. Prezenca e OSBE-së vlerëson se “investimet dhe huamarrja private dhe publike vazhdojnë të pengohen për shkak se jo në të gjitha rastet mund të garantohet pronësia në të gjitha hallkat e sistemit”. Ndërkohë që: i) kërkohet më shumë progres në zhvillimin e një strategjie të plotë për reformën e pronës; ii) shqetësim mbeten pretendimet e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim ose kthim të pronave të konfiskuara gjatë regjimit të kaluar. Pozitiv është fakti që qeveria ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin e kthimit të pronave, i cili pritet të marrë miratimin e tij përfundimtar në Kuvend.
13.    Lufta kundër korrupsionit: sukses vetëm nëse palët bashkëpunojnë… Progresi në këtë fushë përshkruhet në këtë mënyrë: i) harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv; ii) qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat; iii) Progres është arritur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm: iv) futja në përdorim e sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike. Mbeten problematike: i) ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as Prokuroria; dhe ii) imuniteti i zyrtarëve të lartë publikë. Sipas raportit, “lufta kundër korrupsionit do të ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin atë për interesat e tyre”.
14. Media: liria e shprehjes respektohet,… por ligji për transmetimet me zë e figurë ka të meta serioze… Në raport jepet konkluzioni se “liria e shprehjes përgjithësisht respektohet…”, bazuar edhe në faktin se nuk ka “ndonjë rast të ndonjë gazetari të çuar në gjykatë nga shteti për shkak të bindjeve të shprehura publikisht”. Por mbetet shqetësimi se “qeveria është në gjendje të “inkurajojë” disa media më shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera”. Kritika kryesore lidhet me Projektligjin për Transmetimet me Zë dhe/ose me Figurë, për të cilin thuhet se “ka të meta serioze në lidhje me kompetencat që i jepen organit mbikëqyrës të medias elektronike, si edhe sa i përket përbërjes politike të këtij organi…”, por fatmirësisht “Kuvendi ra dakord t’ia rikthente këtë projektligj një grupi pune për të trajtuar shqetësimet e ngritura nga Prezenca”.
15. Barazia gjinore: progres modest, por ende larg standardeve… Evidentohet fakti pozitiv që “është miratuar një strategji kombëtare për barazinë gjinore… dhe se është ngritur një Këshill Kombëtar për Barazinë Gjinore”, ndërkohë që bëhet vërejtja se “përfaqësimi i grave në pozicione të larta në partitë politike është në shifra modeste, …dhe numri i grave të zgjedhura (zgjedhjet 2009 dhe 2011) nuk arriti nivelin e pritur”. Kritika themelore u drejtohet partive politike, të cilave “u mbetet ende shumë punë për të bërë për të promovuar gratë në politikë”. Dhe në mënyrë konkrete kërkohet që të “garantohet që një reformë zgjedhore të përfshijë rishikimin e mëtejshëm të kuotës gjinore, meqenëse një pjesë e gjuhës ekzistuese në Kodin Zgjedhor është e paqartë dhe mund të çojë sërish në një përfaqësim më të ulët se sa ai që pritet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.
16. Shoqëria civile: ende nuk mund të shihet si një partnere e plotë strategjike në politikëbërje. Në raport thuhet se “OJF-të kanë në përgjithësi struktura të brendshme, anëtarësi dhe kapacitete të dobëta dhe vazhdojnë të mbështeten te donatorët e huaj për fonde”. Po ashtu vërehet se drejtuesit e “shumë OJF-ve vazhdojnë të jenë, ose të paktën perceptohet të jenë politikisht mbështetës të njërës ose tjetrës palë”, për rrjedhojë, “nuk mund të thuhet se ekziston një shoqëri civile e pavarur dhe me bazë të gjerë”. Në raport zë vend edhe fakti që “gjatë vitit të kaluar lindi një lëvizje e quajtur Aleanca Kuq e Zi” për të cilën thuhet se “bën fushatë kundër ligjit të miratuar së fundi për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare”.
***
Përmbyllja – “Vështrim drejt së ardhmes”: Në një paragraf të veçantë në raport jepet mesazhi kryesor për drejtuesit politikë: “…zgjidhni e merrni midis… reformave, progresit e prosperitetit kombëtar dhe një spiraleje zvarritjesh, amullie e mllefi politik”, sepse “duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël”. Për rrjedhojë, “nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013”. Për të shmangur një skenar të tillë jepet ky mesazh: “Nëse vërtet doni t’í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave”.

KASTRIOT ISLAMI

© Panorama.al

Te lidhura