I. Përse Shqipëria gjeneron ngërçe politike ciklike që prej 20 vjetësh?
Gjithnjë e më shpesh po shtrohet pyetja: “Përse Shqipëria gjatë këtyre 20 vjetëve futet e del në mënyrë ciklike në kriza/ngërçe politike pas pothuajse të gjitha zgjedhjeve të përgjithshme? Përse krizat vërtiten gjithnjë rreth një aksi me emrat e dy kryetarëve të partive kryesore, pavarësisht se cilët janë ata konkretisht? Përse edhe figura me eksperiencë kanë frikë të kundërshtojnë publikisht drejtuesit në dy partitë kryesore sidomos për dukuri negative që kritikohen edhe nga ndërkombëtarët? Përse dalja e partive të reja ka qenë e vështirë dhe e paqëndrueshme? Përse sjelljet e dy partive kryesore janë të ngjashme, pavarësisht se njëra është e majtë dhe tjetra është e djathtë, njëra ish-komuniste dhe tjetra e formuar vetëm 20 vjet më parë? Përse fituesi fiton gjithçka dhe humbësi humbet gjithçka nga zgjedhjet? Ndodh kështu vetëm në Shqipëri apo kjo dukuri është prezent në përmasa apo forma të ndryshme edhe në vendet e tjera ballkanike? Ç’duhet bërë për të ndryshuar këtë gjendje pothuajse permanente që eventualisht mund të acarohet më shumë në të ardhmen, për shkak të lidhjeve gjithnjë e më të ngushta midis politikës, biznesit e korrupsionit politiko-financiar dhe medias? Një përgjigje të koncentruar dhe relativisht të plotë e ka dhënë Januszs Bugajski në një paraqitje të tij, në një mbledhje në Uashington, më 1 qershor 2011, kur do të diskutohej çështja e zgjedhjeve të 8 majit dhe kriza politike në Shqipëri. Sipas tij, në mënyrë të përmbledhur arrihet në përfundimin se “Shqipëria është (shfaqet) në këtë gjendje ngërçi apo krize politike, për shkak se vuan nga 6 çrregullime të ndërlidhura midis tyre që pengojnë zhvillimet e saj politike, ekonomike e ndërkombëtare dhe mund të fusin vendin në spiralen e një konflikti kombëtar destabilizues.”
II. Çrregullimi 1: Politika shqiptare vuan nga bipolarizimi i personalizuar
Në këtë 20 vjet, pavarësisht përpjekjeve të shumë individëve për t’i dhënë mundësi mendimit ndryshe brenda dy partive të mëdha dhe/ose për të krijuar forca politike të treta të qëndrueshme (përveç rastit të LSI, që mbetet për t’u testuar për sa i përket jetëgjatësisë dhe paksa PDR) bipolarizimi/çrregullimi bipolar politik ka kontribuar më shumë në gjenerimin e përplasjes midis dy poleve në formën e ngërçeve apo krizave politike, sesa ka prodhuar qëndrueshmëri qeverisëse. Kjo ka ndodhur sepse “jeta politike në Shqipëri është tejet e personalizuar dhe ka qenë e drejtuar nga drejtues të fortë/autokratikë”, që përmes “një drejtimi vertikal nga lart-poshtë kanë kufizuar konkurrimin politik brenda dhe ndërmjet partive dhe shmangur publikun të marrë pjesë në vendimmarrje”. Edhe ngërçi i fundit është “simptomë e këtij realiteti fondamental”.
III. Çrregullimi 2: Mungesë e kushteve për konkurrim politik
“Përpjekjet për të krijuar parti të treta të qëndrueshme dhe të afta për t’u futur në Parlament, kanë hasur në vështirësi”, për shkak të mungesës/kufizimit të kushteve të konkurrimit nga dy forcat kryesore politike; veçanërisht kjo ka qenë shumë e vështirë kur këto përpjekje kanë ardhur nga individë brenda dy partive kryesore, për shkak se liderët e dy partive kryesore kanë bërë të pamundurën për të shantazhuar bartësit e mendimit alternativ, kanë bërë diversion apo dekurajuar institucionalizimin e mendimit alternativ apo fraksionizmin, ndërkohë që nga ana tjetër kanë goditur fuqimisht si tradhtarë mbartësit e mendimin alternativ brenda partisë së tyre. Kjo ka bërë që liderët e PS dhe të PD të kontrollojnë jo vetëm shumicën e vendeve në Parlament, por secili prej tyre të kontrollojë edhe grupin e tij parlamentar e forumet partiake, ndonëse mund të ketë pasur individë apo parti shumë të vogla në “koalicionet” e tyre, të cilët janë “qetësuar” përmes shpërndarjes së favoreve personale për drejtuesit e tyre. I vetmi “faktor king-maker (përcaktues)” me efekt real, ndonëse të kufizuar (PD zotëron ekzaktësisht 70 deputetë, pra 50 për qind të vendeve të Kuvendit), është LSI pas zgjedhjeve të vitit 2009, ndërkohë që në 20 vjet edhe kur kanë ekzistuar individë apo grupe shumë të vogla politike, ata janë trajtuar nga liderët e dy forcave kryesore në shumë si garniturë e shtojca të parrezikshme, pa mundur të kontribuojnë mjaftueshëm në zhvillimin e programeve politike të përbashkëta për koalicionin apo në forcimin e konkurrimit politik.
IV. Çrregullimi 3: Konkurrimi politik nuk ka karakter ideologjik
Konflikti që ka prodhuar në këto 20 vjet ngërçet apo krizat politike, përfshi edhe këtë të fundit “nuk ka qenë asnjëherë me natyrë ideologjike”, por as edhe parimore, siç ka pasur përpjekje për t’u “shitur” nga dy liderët kryesorë për publikun vendës dhe tek partnerët ndërkombëtarë. “Grindjet dhe sherret politike shqiptare midis dy partive apo, më saktë midis dy drejtuesve të partive kryesore, nuk kanë ardhur as nga diferencat e programeve, as të ideologjive partiake”. “Në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin, nocionet e së majtës, të qendrës dhe të djathtës janë pas asnjë lloj kuptimi; dallimet partiake e kanë bazën në besnikërinë dhe mbështetjen ndaj liderit, të cilat më tej përvijohen si “dallime të dy kampeve që përjashtojnë njëri- tjetrin reciprokisht”.
V. Çrregullimi 4: Klientelizmi i rrënjosur thellë në strukturën politike
Klientelizmi apo servilizmi politik është shumë i zhvilluar gjatë këtyre 20 viteve, në mënyrë të ngjashme në të gjitha vendet e Ballkanit. “Ai bazohet në një sistem të deformuar të rekrutimit të zyrtarëve partiakë e shtetërorë (kur partia është në pushtet), në favoret që u ofrohen mbështetësve të partisë dhe veçanërisht drejtuesit të partisë dhe në korrupsionin partiak e shtetëror (kur partia është në pushtet) të të gjitha niveleve.” Klientelizmi (servilizmi politik e partiak) “është rrënjosur thellë në strukturën politike në Shqipëri” dhe në të gjithë vendet e rajonit. “Ky çrregullim minon konkurrimin politik” të bazuar në kontributet, profesionalizimin dhe meritat, duke deformuar sistemin e karrierës dhe sistemin e motivimit të bazuar në hierarkinë e vlerave, kontributeve dhe kapaciteteve. Kjo do të thotë gjithashtu se “zyra partiake apo pozicioni i drejtuesit partiak” përbën “një aktivitet fitimprurës dhe humbja e saj shoqërohet me humbjen e këtyre favoreve” dhe prandaj bëhet rezistencë për të mos e lëshuar atë dhe sajuar alibi të shumta, për të qëndruar në krye të partisë, derisa kundërshtari të lodhet e humbasë zgjedhjet.
VI. Çrregullimi 5: Kultura politike e “shumatores zero”
Kultura politike e “shumatores zero” ka qenë tipike gjithashtu për këto 20 vjet; kjo do të thotë, “nëse njëri fiton gjithçka, tjetri me siguri humbet gjithçka”, pra ka vetëm fitues të qartë dhe humbës të qartë dhe, kur rezultati është i ngushtë, pala humbëse nuk e njeh rezultatin dhe angazhohet në veprime që mund të përfundojnë deri në konflikte të dhunshme. Kjo vjen ngaqë në çdo zgjedhje palët përgatiten ose vetëm për të fituar, ose për të mos njohur humbjen. Kjo pengon palët që të angazhohen në dialog dhe kompromise, sepse nuk ka asnjë pikë takimi që të mund të aplikohet modeli “win-win apo fitues-fitues”. Madje gjithnjë ekziston rreziku që sherret për zbatimin apo interpretimet e Kodit Zgjedhor të përshkallëzohen në konflikt të hapur.
VII. Çrregullimi 6: Revanshi politik ose përsëritja e precedentit
Politika shqiptare vuan gjithashtu edhe nga sindromi i revanshit/hakmarrjes politike, që do të thotë se “nëse ju do të kontestoni fitoren time në zgjedhje, unë do të kontestoj herën tjetër fitoren tuaj po në zgjedhje, madje më egërsisht”. Mbi këtë bazë përsëriten nga dy të palët në formë ciklike bojkotet, protestat publike kundër rezultatit zgjedhor, deri edhe aplikimi i dhunës apo kryerja e vandalizmave, shpesh me qëllimin për të provokuar qeverinë të tejkalojë masën me kundërveprimet e saj.
VIII. Cila do të ishte zgjidhja për të dalë nga ky rreth vicioz?
Ka një shans që vetëm duke filluar nga zgjedhjet e vitit 2013 të fillojë të zbutet apo edhe të eliminohet ngërçi politik në politikën shqiptare dhe ai të mos përsëritet në të ardhmen, vetëm nëse 1) fillojnë të kurohen të 6-ta “çrregullimet” dhe 2) procesi zgjedhor në 2013-n të kryhet në përputhje të plotë me standardet demokratike ndërkombëtare, në mënyrë të tillë që rezultati zgjedhor të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët. Çfarë do të thotë që “të kurohen të 6-ta çrregullimet” dhe si arrihet kjo gjë? Kjo natyrisht përbën edhe pyetjen më të vështirë. Pra, konkretisht shtrohet pyetja si 1) mund të zbutet personalizimi bipolar politik, 2) si mund të përmirësohen kushtet për konkurrim politik që zhduk bipolarizimin, 3) si mund të bëhet konkurrimi programor dhe mbi bazë alternativash, 4) si zbuten apo eliminohen klientelizmi dhe korrupsioni politik; 5) si mund të zëvendësohet sistemi “zero sum game” dhe të kalohet në sistemin ‘win-win” dhe së fundmi 6) si ndërpritet sjellja e revanshit politik apo aplikimi i precedentit? Për të qenë realist, kurimi i këtyre çrregullimeve do të kalonte përmes një procesi të gjatë e të vështirë, por jo të pamundur. Së pari, duhet kryer një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse (duke bërë pjesë edhe partitë e vogla), që garanton kushte konkurrimi për të gjitha subjektet politike. Së dyti, duhen konceptuar ndryshime (në kodin zgjedhor e eventualisht në Kushtetutë) që japin mundësi të relaksohet/liberalizohet sistemi politik, pra të mos mbetet bipolar politikisht e i personalizuar dhe zbutet/eliminohet ngurtësia e dy blloqeve politike, që vjen kryesisht nga klientelizmi dhe korrupsioni partiak. Kjo do të thotë që Kuvendi i ardhshëm të mos dominohet në një masë kaq të madhe sa aktualisht vetëm nga dy forca kryesore politike dhe grupet kryesore politike të mos dominohen nga dy drejtuesit kryesorë, por njëkohësisht kushtet e konkurrimit të sigurojnë lindjen e partive të treta, realisht përcaktuese, por jo thjesht klienteliste të njërës nga partitë e mëdha. Në legjislacionin zgjedhor mund të inkludohen elementë që frenojnë/eliminojnë klientelizimin dhe korrupsionin partiak e politik. Po kështu, çështja e demokracisë së brendshme të partive dhe funksionimit të tyre demokratik duhet të bëhet pjesë e monitorimit dhe asistencës së BE e KiE. Zgjidhjet konkrete e teknike ekzistojnë dhe mund të formulohen lehtësisht, por duhet fillimisht vullneti i dy palëve dhe sidomos i dy drejtuesve të tyre apo forcimi i kondicionimit ndaj tyre për të pranuar dhe miratuar këtë “model të ri politik”, që do të fillonte të kuronte këto 6 çrregullime.
IX. Roli i BE dhe SHBA …..
Januszs Bugajski, bazuar në faktin që Shqipëria është anëtare e NATO dhe kandidate për t’u bërë anëtare e BE, sugjeron që BE në kuadër të zgjerimit dhe SHBA në një vizion strategjik, duhet të asistojnë në një përpjekje të përbashkët procesin për kurimin e këtyre 6 çrregullimeve, që janë po ashtu prezente edhe në vendet e tjera te rajonit. Një Mekanizëm Udhërrëfyes (Road Map) për të siguruar këtë reformë të sistemit politik shqiptar drejt një modeli të ri politik mund të ishte Axhenda e Integrimit në BE, natyrisht e plotësuar edhe në këtë aspekt, e cila zotëron edhe mekanizmat e kondicionalitetit që duhen përforcuar.
KASTRIOT ISLAMI











