Islami e Harasani thyejnë bojkotin, shkojnë në Kuvend

May 27, 2011 | 10:07
Islami e Harasani dje në Parlament

Partia Socialiste bojkoton Kuvendin në seancën e parë pas zgjedhjeve lokale, por dy deputetët e saj, Kastriot Islami e Andis Harasani, thyen vendimin.Dy deputetët e PS-së argumentuan brenda sallës së Kuvendit, por dhe jashtë saj, arsyet për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, ndërsa në fund të seancës ata votuan pro dy marrëveshjeve, atë të financimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe marrëveshjen për rritjen e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me votimin e këtyre dy marrëveshjeve, dy deputetët e majtë lanë sallën e Kuvendit.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i opozitës, Edi Rama, reagoi duke e cilësuar si seancë turpi të Kuvendit, ndërsa për dy deputetët, Harasani e Islami, tha se janë bërë pjesë e këtij turpi. “Nuk e thanë gabim këtë. Po, është e vërtetë. Janë bërë pjesë e këtij turpi”, reagoi Rama.
Nga ana tjetër, duke folur për mediat para seancës së Kuvendit, deputeti Islami tha se ky qëndrim është në respektim në kërkesës së ndërkombëtarëve. “Kam marrë guximin dhe kam bërë sakrificën ndoshta më të madhe duke ardhur sot në Parlament në mënyrë simbolike për të treguar se ka dhe njerëz të tjerë që mendojnë ndryshe në PS dhe besoj që një ditë do të vijë në këtë pozicion të matur e gjithë Partia Socialiste”, tha Islami. Në sallën e Kuvendit ai iu drejtua kryetares dhe gjithë maxhorancës për një reflektim në lidhje me situatën politike në vend. “Duhet reflektim i thellë nga të gjitha palët dhe një bashkëpunim në funksion të interesave të vendit. Kërkesën për reflektim ia drejtoj jo vetëm kryetarit tim Edi Rama, por në radhë të parë dhe Kryeministrit dhe juve, për të qenë sa më të kujdesshëm për të eliminuar e shmangur çdo lloj provokimi që mund të duket, por dhe mund të mos jetë. Duhet të jeni të kujdesshëm me kalendarin derisa të arrihet të merret vendimi përfundimtar nga Kolegji Zgjedhor”, tha Islami. “Rezultat kaq i ngushtë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ky është një test. Uroj të kalojë sa më mirë. E kuptoj ftesën tuaj për kalendarin. Propozoj rifillimin e menjëhershëm të punës për ngritjen e komisionit për reformimin e Kodit Zgjedhor”, u përgjigj Topalli.
Nga ana e tij, deputeti tjetër i PS-së, Harasani, iu përgjigj direkt kryeministrit Berisha, pas fjalës së tij në Kuvend. “Dua të bëj të qartë se arsyeja pse jemi në sallë është në përputhje të plotë me atë kërkesë që faktori ndërkombëtar bëri nëpërmjet z. Kantrimen, për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit mes opozitës dhe pozitës. Sigurisht që nuk mund të jem dakord me të gjitha ato që tha Kryeministri, por do të doja të theksoja qëndrimin që kemi mbajtur se opinionet tona t’i japim pasi të flasë Kolegji Zgjedhor”, tha Harasasi.
Për mediat, deputeti Kastriot Islami foli për situatën brenda PS-së. “Leksioni më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është që e majta e përçarë nuk fiton. Dhe kjo ka qenë motoja e gjithë analizave të mia 2-vjeçare, për të cilat mund të jem konsideruar dhe tradhtar duke më thënë pse flet për LSI-në. Nuk kam folur për LSI-në, kam folur për të majtën e bashkuar”, tha Islami. Më tej ai shtoi se “në PS nuk është prezent dhe konsiderohet tradhtar ish-kryetari i saj dhe ish-kryeministri Fatos Nano, nuk është më ish-kryeministri dhe kryetari i FRESSH, Ilir Meta. Nuk është më ish-Presidenti i Republikës dhe nuk konsiderohet si një vlerë, Rexhep Meidani. Po përmend vetëm këto 3 figura, për mos përmendur një numër mjaft të madh qoftë ministrash, qoftë personalitetesh të PS-së në nivel qendror e lokal të qeverisjes dhe të partisë”.

Meta e Idrizi mungojnë në Kuvend

Në seancën e parë të Kuvendit pas zgjedhjeve ishin të pranishëm 73 deputetë, mes të cilëve dy deputetët e majtë, Islami e Harasani. Në këtë mbledhje të parë munguan deputetët dhe krerët e partive të LSI-së e PDIU-së. Kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ai i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, nuk ishin prezent në këtë seancë, ndonëse deputetët e tjerë të partive të tyre ishin të pranishëm. Maxhoranca vijoi më pas të miratojë projektligjet në rend dite me nga 71 vota. Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në përbërje të komisioneve parlamentare, ku deputeti Ndriçim Babasi u caktua në Komisionin e Sigurisë, Aurel Bylykbashi në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe Kosta Barka në Komisioni për Shëndetësinë.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura