Një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila punonte si praktikante në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar nën akuzat për spiunazh dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Sipas Reuters, lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Federale belge, e cila deklaroi se e dyshuara dyshohet se ka vepruar në emër të një vendi të tretë.
“Ajo dyshohet për spiunazh në emër të një vendi të tretë dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
Gruaja ishte praktikante në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën (SHAPE), selia kryesore ushtarake e NATO-s që ndodhet në qytetin Mons të Belgjikës.
Sipas autoriteteve belge, e dyshuara kishte tërhequr vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së SHAPE, të cilat e referuan rastin te autoritetet belge të inteligjencës.
Hetuesit kontrolluan banesën e saj dhe ambientet ku ajo punonte në SHAPE, ndërsa arrestimi u krye të premten.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e gruas, vendin për të cilin dyshohet se ka spiunuar apo organizatën me të cilën pretendohet se ka pasur lidhje.
Një zëdhënës i SHAPE deklaroi se deri tani nuk ka asnjë tregues se gatishmëria operacionale e NATO-s, strukturat e komandës dhe kontrollit apo misionet në vazhdim janë prekur nga rasti.
“SHAPE vazhdon të përmbushë përgjegjësitë e tij pa ndërprerje”, tha ai.
Prokuroria belge bëri të ditur se nuk do të japë komente të tjera ndërsa hetimet vijojnë.
© Panorama.al












