
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ka ngushëlluar nëpërmjet një letre ndarjen nga jeta të personalitetit të shquar botëror, ish-presidentit të Çekosllovakisë dhe Republikës Çeke, Vaclaf Havel. Ish-presidenti shqiptar ka vlerësuar lart figurën e Havelit dhe qëndrimin e tij pro shqiptarëve në rajon, kundër politikave të represionit serb të Sllobodan Millosheviçit. Zoti Meidani dhe i ndjeri Havel kanë punuar së bashku deri vonë në dy klube ndërkombëtare pro demokracisë. “Për çdo qytetar në botë, presidenti Vaclaf Havel ka qenë jo vetëm simboli i vitit 1989, por dhe mishërimi i një personaliteti humanist dhe një shtetari të rangut botëror, që i dha politikës dhe qeverisjes autoritet moral dhe prestigj njëkohësisht, dashuri njerëzore dhe drejtësi. Ai luftoi me kurajë për demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, sidomos për lirinë kundër frikës, për nxjerrjen në pah dhe nxitjen e fuqisë së popullit dhe të politikës për të ndryshuar botën. Për një shqiptar, ai ka qenë, po ashtu, një zë shumë i fortë, i njohur ndërkombëtarisht kundër politikës së Millosheviçit, të pastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj qytetarëve të Kosovës. Me vdekjen e tij, shqiptarët humbën një mik të shkëlqyer dhe mbështetës të sinqertë. Kontributi i tij i rëndësishëm dhe ndikimi i tij intelektual do të jetojnë më tej nëpërmjet fjalëve të tij humane…”, ka shkruar z. Meidani, presidenti i Shqipërisë (1997-2002), anëtar i Klubit të Madridit (një organizatë e pavarur jo fitimprurëse e përbërë nga 80 ish-presidentë shtetesh, e krijuar për të promovuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshim në komunitetin ndërkombëtar, si dhe forumi më i madh në botë i ish-krerëve të shteteve dhe qeverive); dhe anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Demokratizimin e Kubës (deri tani me presidentin Havel si kryetar të tij). Ndërkohë, liderë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë të mërkurën në funeralin më të madh shtetëror të organizuar në dekadat e fundit në Republikën Çeke, mes tyre edhe Kryeministri Sali Berisha. Ceremonia do të kryhet në mesditë në katedralen historike të Pragës, St. Vitus. Havel, i cili ka shërbyer si President i Çekosllovakisë nga viti 1989 deri në 1992 dhe pas ndarjes së vendit u bë President i Republikës Çeke (1993-2003) u nda nga jeta të dielën, në moshën 75-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.











