Ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi paraqitet në SPAK

Nov 25, 2025 | 10:17

Ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

termet peci

Deputeti socialist mbërriti i vetëm në ambientet e SPAK rreth orës 10 të paradites së sotme (25 Nëntor).

Nuk dihet ende arsyeja përse Tërmet Peçi është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm.

Kujtojmë që ndaj ish-kryebashkiakut socialist PD ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK, nën akuzën se ka lejuar ndërtimin e godinave në shtratin e lumit Drino.

Partia Demokratike  e ka akuzuar për veprat penale: Shpërdorim i detyrës, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe vepra penale kundër mjedisit.

Sipas PD, ai ka lejuar ndërtimin e një objekti 6-katësh në shtratin e lumit, pranë Ujit të Ftohtë në Tepelenë, një monument natyre.

Ndërkohë, kryedemokrati Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve të ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, në qytetin e Gjirokastrës më 20 Prill 2025, akuzoi Tërmet Peçin se u ka dhënë 60 milionë euro drejtorëve të tij.

“Ne ishim, do dalim përsëri. Asnjë vend nuk ka pasuritë e Shqipërisë. Ato duhet t’i gëzojnë qytetarët shqiptarë. Këto pasuri duhet të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Cili është dallimi i këtij programi me aktualin? Edhe tani, buxheti, u mburr, i rrahu gjoksin Edi Rama, 8 miliardë. 8 miliardë të marra të gjitha nga taksat tuaja. Edhe tani pasuritë ja ku janë. Po çfarë ndodh me to? I ndan një grup i vogël njerëzish, i ndajnë qeveritarët. Mund të rrish net të tëra t’i rikujtosh, por çdo ditë, çdo orë del një skandal. E morët vesh ju, Tërmeti, 60 milionë euro drejtorëve të vet. 5D e Tiranës. A e dini mor miq çfarë janë 60 milionë euro? U garantoj se po të ishin investuar 60 milionë euro në Gjirokastër, do kishin transformuar në shumë aspekte këtë rreth. Vidhen. Po me kë i ndan Tërmeti? Po Tërmeti natyrisht i ndan me Edi Ramën”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura