Ish-deputeti zgjidhet në krye të degës së Elbasanit

Jun 28, 2014 | 10:27

Lulzim Basha
Ish-deputeti në legjislaturën 2005- 2009, Aurel Bylykbashi, do të drejtojë degën e Partisë Demokratike të Elbasanit në katër vitet e ardhshme. Në zgjedhjet e zhvilluara dje, ish-kryetari i kësaj dege deri pesë vjet më parë mori shumicën e 560 votave të delegatëve të kësaj dege. Pas fjalimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, nisi edhe procesi i votimit, ku 600 delegatë kishin të drejtë vote. Pas numërimit të votave rezultoi se ish-deputeti Bylykbashi, i cili ishte njëkohësisht edhe koordinator për zgjedhjet në Përmet, mori 290 vota ndaj 246 votave që mori drejtori i Bashkisë së Tiranës, Ilir Dervishi. Pedagogia e anglishtes, Elsa Gega, mori 22 vota, ndërsa Adhurim Kongoli mori 2 vota. Gjatë ditës së djeshme u zhvilluan zgjedhjet edhe për degën e Kavajës ku fitues u shpall ish deputeti Engjell Cara i cili mori 151 vota, përballë 124 votave të Isa Sakjes. Pas zgjedhjeve në Elbasan, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, do të marrë pjesë sot në konferencat e degëve të Korçës, Pogradecit dhe Devollit. Në degën më të madhe të juglindjes, në Korçë, do të jenë në garë katër kandidatë. Ish-prefekti dhe kandidati i PD-së në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Andrea Mano, do të jetë përballë ish-drejtorit të patentave, Gjergji Grabocka, ishkreut të qarkut në vitin 2007, Ilir Hoxha dhe Laureta Aladinit. Në degën e Devollit, Altin Hoxha do të jetë përballë Arben Mizës. BASHA Nga Elbasani, kreu i PDsë, Basha, tha se në takimet që po zhvillohen në çdo degë po vihet gishti te të metat që çuan në humbjen e 23 qershorit. “Ngjarjet që po ndodhin sot brenda PD–së janë ngjarje jo vetëm partiake, por edhe publike, pikërisht sepse kjo është PD që ka vulën madhore në zhvillimet e këtyre 23 viteve”, tha Basha në degën e Elbasanit. Ai shtoi: “Ne jemi partia tek e cila shqiptarët po varin shpresat e tyre dhe kjo duhet të na bëjë më të përgjegjshëm. Te këto takime kemi vënë gishtin te të metat dhe dështimet tona për të korrigjuar gabimin e 23 qershorit. Dhe me votë të lirë do të zgjedhim ekipet e drejtimit. Ne do të dimë të respektojmë dinjitetin e çdo shqiptari kur të jemi në pushtet. Do t’i kundërvihemi projektit ogurzi të kundërshtarit tonë, i cili promovon krimin dhe narkotrafikun”. Më herët ai ka marrë pjesë në konferencat e Përmetit dhe Mallakastrës, ku deklaroi: “Zgjedhjet në PD, për vetë mënyrën qytetare që po zhvillohen, alternativat që po përcjellin kandidatët, vendin e votës së lirë në themel të garës në parti dhe nivelin demokratik të riorganizimit të partisë, kanë bërë që qytetarët ta ndjekin me dëshirë dhe shpresë për të nesërmen”. Gjatë fjalës së mbajtur Basha u ka kërkuar drejtuesve të rinj të partisë në çdo degë të hartojnë platformën e zhvillimit për zonat e tyre. “Çfarë tjetër është arsyeja jonë për të qenë këtu nëse nuk jemi në gjendje t’u ofrojmë një perspektivë zhvillimi qytetarëve ku gjithsecili prej tyre të shohë mundësinë dhe të besojë tek e nesërmja, të besojë se dinjiteti i tij dhe i saj nuk do të nëpërkëmbet, të besojë se ligji do të funksionojë i barabartë për të gjithë. Misioni i Shqipërisë europiane në çdo qelizë të saj, i standardit europian në çdo orë të jetës së çdo shqiptari kudo në vend, është misioni hyjnor i Partisë Demokratike”, tha Basha.

ZGJEDHJET NË PD
ZGJEDHJET NË ELBASAN

Aurel Bylykbashi 290 vota
Ilir Dervishi 246 vota
Elsa Gega 22 vota
Adhurim Kongoli 2 vota
Fitues Aurel Bylykbashi
ZGJEDHJET NË KAVAJË
Engjell Cara 151 vota
Isa Sakja 124 vota
Fitues Engjell Cara
KANDIDATËT NË KORÇË
Andrea Mano
Gjergji Grabocka
Ilir Hoxha
Laureta Aladini
KANDIDATËT NË DEVOLL
Altin Hoxha
Arben Miza
KANDIDATËT NË POGRADEC
Arjan Mançellari
Bruna Prifti
Renato Preza
DEGA TEPELENË
(Balotazhi)
Hatixhe Qendro
Vehip Çela

 MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura