
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pilo Keri, thotë se po bën fushatë për kandidatin e LSI-së në qarkun e Beratit, si i vetmi përfaqësues i rrethit të Kuçovës. Sipas Kerit, PS e ka shpërfillur këtë zonë duke mos kandiduar asnjë përfaqësues të saj, duke e konsideruar bastion të sigurt. Keri thotë se me këtë mbështetje LSI merr dy mandate në Berat dhe koalicioni i majtë 6 mandate.
Lista e kandidatëve të PS në qarkun e Beratit e nxjerr të papërfaqësuar me kandidat qytetin e Kuçovës nga ku ju keni dalë deputet. Ishit kësaj radhe në projektet për të qenë pjesë e listës?
Sigurisht që unë aspiroja për të qenë kandidat i listës së PS për të fituar mandatin e saj në këtë qark. Nisur nga mundësitë, nga rezultatet e mia në 2005, 2009, por dhe të mbështetjes së mjaft intelektualëve kuçovarë, kam dashur të përfaqësoj banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth. Ndërkohë që kam pasur takime me drejtues të lartë të PS në qendër dhe shpresoja që në mos unë, dikush tjetër nga intelektualët e Kuçovës të ishte në listën e PS për qarkun e Beratit.
Cilat kanë qenë mesazhet që vinin nga lidershipi i PS?
Sigurisht, nuk është folur në detaje, listat ishin pjesë e konsultimeve të forumeve të larta të PS, por asnjëherë nuk u tha që ne nuk kemi ndër mend të vendosim njerëz nga Kuçova në këtë listë.
Ju në vitin 2009 keni qenë kandidat i G99-s në këtë qark. Pse ky kandidim nga deputet i PS te G99?
Në vitin 2009 unë isha kandidat i G99-s, një parti e sapokrijuar, dhe isha aty pasi kisha marrë aprovimin e lidershipit të PS. Është bërë nga ana ime në atë kohë një fushatë elektorale model dhe në përfundim të saj, me mjaft peripeci tashmë të njohura, kur më akuzonin si tradhtar të PS, ndërkohë që isha i dërguar nga vetë lidershipi i PS, elektorati i majtë kuçovar, i Urës Vajgurore, i Poshnjes dhe Kutallisë, votuan G99-n në një masë të madhe. Zyrtarisht mbetën 3821 vota dhe vetëm në ZAZ Nr. 3 të Urës Vajgurore përqindja e fletëve të pavlefshme të G99-s ishte në mënyrë të konsiderueshme. Edhe pse ndodhi kështu, unë vijova të mbështes aksionin politik të PS për hapjen e kutive, protestave, ndërsa isha sponsor i drejtpërdrejtë në ngritjen e çadrave të grevës së urisë.
Si ka qenë e përfaqësuar Kuçova në Parlament që prej 1991-shit?
Unë jam munduar dhe kam kërkuar që Kuçova duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Parlament. Kuçova ka pasur një traditë shumë të mirë në përfaqësim. Në vitin 1991 Kuçova zgjodhi si deputet të Kuvendit të Shqipërisë ish-kryetarin socialist Fatos Nano, në vitin 1996 anëtarin e Kryesisë socialiste, Namik Dokle, në vitin 1997 Kryeministrin e Qeverisë së Stabilitetit, Bashkim Fino, po ashtu Fino dhe në 2001 e 2005, dhe hapësirën e vetme që dha Kodi Zgjedhor në 2005-n, kuçovarët, duke kaluar unë me marrëveshje te PSD, treguan se janë dhe mbeten socialistë. Në ato zgjedhje mori mandat edhe Bashkim Fino, edhe unë.
(Intervisten e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











