
TIRANE – Gjykata e Apelit Tiranë i ka dhënë të drejtë ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, gjyqtares Evjeni Sinoimeri, në lidhje me një padi të saj kundër Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Sipas vendimit të Apelit, KLD-ja detyrohet të shprehet në lidhje me një kërkesë të gjyqtares Sinoimeri për emërimin e saj në trupën e Gjykatës së Apelit Tiranë. Padia e ish-anëtares së trupës së Gjykatës së Lartë kishte të bënte pikërisht me emërimin e saj pas përfundimit të mandatit në Gjykatën e Lartë. Siç rezulton në vendimin e shpallur pak ditë më parë në Apel, gjyqtarja Sinoimeri ka ushtruar funksionin e saj nga 2 maji 2001 deri më 1 maj 2010. Në momentin e mbarimit të mandatit të saj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte shpallur 8 vende vakante për “Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë”. Tetë ditë para përfundimit të mandatit, gjyqtarja Sinoimeri ka paraqitur kërkesë në KLD, që emri i saj të shqyrtohej si një nga kandidaturat në këtë Gjykatës. Në vijim, nga ana e KLD-së emri i gjyqtares Sinoimeri është futur në konkurrim njëlloj si kandidaturat e tjera, pa pasur parasysh statusin e saj si ish-anëtare e Gjykatës së Lartë. Në përfundim të procesit ajo nuk është emëruar në Apel. Sipas Gjykatës së Apelit, KLD-ja duhet të mirinterpretonte nenin 25 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të RSH”, sipas të cilit, me përfundimin e mandatit, anëtari i Gjykatës së Lartë emërohet në Gjykatën e Apelit. Shkalla e Parë, në dhjetor 2011, rrëzoi kërkesën e gjyqtares Sinoimeri, vendim që u ndryshua nga Apeli. ar.ba











