Aktori Ervis Pupa ka ironizuar vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Duke iu referuar fondit prej 4 milionë dollarësh, Pupa ka ironizuar debatet për përdorimin e parave publike, duke sjellë në vëmendje kostot e larta të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri.
“4 milionë dollarë ka shpenzuar qeveria për të organizuar koncertin e ish-burrit të Kim Kardashianit. E përse mërziteni ju? Se gjoja këto lekë mund të ishin shpenzuar më mirë në shkolla, në spitale ose për të bërë rrugë”, shprehet ai.
Më tej, aktori vijoi me ironi duke iu referuar kostos së ndërtimit të rrugëve, që siç thotë edhe ai, kushtojnë miliona dollarë vetëm 1 km.
“A e dini ju sa shkon 1 kilometër rrugë në Shqipëri? Edhe 15 milionë dollarë shkon. Kështu që me 4 milionë bëhen 300 metra rrugë. A kanë për të na shpëtuar jetën ato, si t’i kishim, si të mos i kishim?”, shkruan Pupa.
Në fund të postimit, ai vijoi ironinë duke u ndalur te vetë artisti dhe koncerti i tij.
“Por e rëndësishmja është që koncerti të dalë bukur, sepse Kanye-ja i ka dhe tekstet shumë emancipuese”, përfundon aktori.
© Panorama.al












