Irma Kurti: Në faqet e librit jam unë

Apr 2, 2012 | 14:24

Ndryshe nga titulli me ngjyra vjeshte, ajo kthehet sërish, me një tjetër libër dhe me shumë dashuri. “Un autunno senza ritorno” (“Një vjeshtë pa kthim”) titullohet përmbledhja me tregime e shkrimtares e poetes Irma Kurti. Ia ka besuar sërish shtëpisë botuese “Kimerik”, me të cilën bashkëpunoi për romanin autobografik “Tra le due rive” (“Midis dy brigjeve”). Ky është libri i tretë në italisht i autores pas përmbledhjes poetike “Risvegliare un amore spento” (“Të rizgjosh një dashuri të shuar”). Me të dyja veprat është nderuar me çmime në konkurset ndërkombëtare në Itali. Me librin “Tra le due rive” fitoi çmimin e parë në seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo – Europa e Cultura 2011” në Paullo, Milano, ndërsa me përmbledhjen poetike, me çmimin e kritikës në Konkursin Ndërkombëtar “Integrimi Kulturor për një botë më të mirë” në Milano. “Në librat e mi me poezi ose në tekstet e këngëve gjithnjë kam shkruar e i kam kënduar dashurisë. Nuk do të rresht kurrë së shkruari për këtë ndjenjë sublime që na mbush zemrën me gëzim por që shpesh zhgënjen. Më pëlqen të hyj në botën e brendshme të personazheve të mi, të përshkruaj pse-të që i ndjekin e që shpesh nuk gjejnë përgjigje, ashtu siç më pëlqen dhe të përshkruaj vuajtjen, si një gjë natyrale e për këtë nuk duhet të transmetojë frikë. Në të gjithë këto tregime reflektohen ndjenjat e mia të brendshme, një pjesë e eksperiencave të mia, fragmente që më kanë mbetur në mëndje e që pasqyrohen në një dimension të ri”, shkruan poetja në parathënien e librit. Irma Kurti është botuese e gjashtë librave, pesë prej të cilave, përmbledhje poetike: “Këtë natë me ty” 1999, “Shihemi në një tjetër botë” 2002, “Qirinjtë janë fikur” 2003, “Bëj sikur fle” 2005, “Puthja e fundit” 2007, dhe “Midis dy brigjeve” 2010.
Ajo njihet dhe si poete e teksteve të këngëve të muzikës së lehtë, shumë prej të cilave janë nderuar me çmime si: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njëjta ëndërr”, “Befas zgjohem” etj. Në festivalin e 50-të në RTSH, pas një mungese të gjatë, Irma Kurti u rikthye me bashkëpunimin e hershëm me kompozitorin Ilir Dangëllia e kënga “Ajër” u vlerësua me çmimin e tretë.

© Panorama.al

Te lidhura