Pasi ndaloi mbajtjen e qenve dhe kafshëve të tjera në makinë dhe veshjen e xhinseve për higjienë dhe për të luftuar “pushtimin “ nga kultura perëndimore, autoritetet në Iran vendosën të ndalojnë hyrjen e femrave në lokalet e çajit ku pihet me nargjile, për arsye morale. Lokalet me nargjile (pipa klasike me ujë), janë tradicionale në Iran dhe pjesa më madhe e tyre shërbejnë në këtë mënyrë. Por, kreu i policisë së kryeqytetit, gjenerali Hosein Sajedinia, ka shpjeguar se masa merret për të ruajtur “moralitetin”. Shumë iraniane janë të pasionuara pas pirjes me nargjile, por duhet ta heqin këtë ves më 21 korrik, kur masa të hyjë në fuqi. Masa e re ka irritur pronarët e lokaleve në Teheran. Ka rreth 400 lokale ku mund të pihet me nargjile dhe të gjitha këto do të kishin një rënie drastike të punës. Disa avokatë janë vënë në punë për ta cilësuar këtë masë “ilegale”. Përdorimi i nargjilesë mbetet një nga veset më të preferuara të femrave, pasi duhani, përmes aparatit tradicional, merr shijen e frutave.











