Intervistë me Babagjyshin

Dec 11, 2011 | 12:29

(10 pyetje që mund t’i bëhen çdo prindi)

Të intervistosh babagjyshin e Vitit të Ri, është një punë që bëhet ashtu siç duhet vetëm nëse je pesë vjeç. Ose më pak. Për këtë arsye, për të përgatitur pyetjet, është dashur me doemos të pyeten fëmijët. Fantazia e tyre mund të shkojë gjithandej dhe babagjyshi është i detyruar të përgjigjet, sepse ata i besojnë vërtet. Ose, të paktën, prindërit që i kanë rritur e që i kanë mësuar të besojnë në të, me siguri ia kanë arritur e ndoshta janë ata që sot gjenden përpara të tilla pyetjeve. Këto mund të jenë disa variante përgjigjesh. Vendoseni vetë nëse doni t’jua shtoni edhe më fëmijëve fantazinë, duke i lënë qoftë edhe pak muaj në botën e tyre, ose doni t’i rrisni më parë, për të bërë me ju biseda të rriturish, që nuk është se s’e dini që shumicën e rasteve… e mirë s’po e themi!
Si ia bën që arrin të shpërndash gjithçka brenda një nate?
Siç thotë miku im i mirë Albert, koha është relative. Duhet vetëm të dish mënyrat për të qenë në mijëra vende të ndryshme në të njëjtën kohë.
Dhe si ia bën?
(durim ëë, unë që po e shkruaj, jam një nënë që punon)
Ho-Ho-Ho
E mirë. Gjithsesi duhet të jesh shumë i lodhur në datën 26 në mëngjes?
Epo… sigurisht, e gjithë periudha është e tejngjeshur. Por është absolutisht edhe periudha më e bukur e vitit. I kam kushtuar gjithë jetën time festave të fundvitit dhe, çdo vit që kaloj, përpiqem të shijoj në maksimum çdo detaj.
Po, por si ia bën për të futur të gjitha dhuratat në një thes?
(Durimi duhet të vazhdojë t’ju shoqërojë, jam prapë unë ajo punëtorja që kam vetëm një çantë, edhe pse të madhe)
Nuk i fus të gjitha në një thes, natyrisht. Kthehem në shtëpi minimumi pesë herë për të rimbushur slitat. Tek e fundit, siç thashë më sipër, koha është në favorin tim.
Me çfarë merreni pjesën tjetër të vitit?
Përgatitem për festat e vitit të ardhshëm. Edhe pse maksimumi i punës është në nëntor-dhjetor, marr letra gjatë gjithë vitit. Madje edhe në verë. I lexoj të gjitha, dhe përgjigjem thuajse gjithmonë.
Cili është ushqimi juaj i preferuar? E dini, fëmijët e kanë për zemër që të lënë gjithnjë një pjesë të ushqimit, kështu që ta dimë se cilin pëlqeni më shumë.
Pa më shikoni sa i madh jam. Duhet të kuptohet që më pëlqen të ha pak nga të gjitha. Pastaj, meqenëse gjatë festave jam gjithnjë me nxitim, do më pëlqente që poshtë pemëve të gjeja ndonjë gjë të mirë teksa lë dhuratat. Ndoshta ndonjë gjë të ëmbël, festive.
Mund të jeni pak më preciz?
Të preferuarat e mia janë biskotat me format e festës.
U pëlqejnë edhe drerëve?
Po talleni? Drerët çmenden për to. As që e përfytyroj se çfarë do të mund të ndodhte nëse drerëve u bie në sy që jam duke ngrënë nga ato biskota. Do të kthehej në problem.
Si ia bëni të vendosni se cili do të jetë fëmija e parë që do t’i çoni dhuratën?
Është një pyetje shumë e mirë logjike, por për këtë vendosin drerët. Ndoshta jo të gjithë e dinë, por Unioni internacional i drerëve, një sistem i ngritur në të gjithë botën, është shumë i fuqishëm dhe ka në dispozicion një sistem navigimi shumë kompleks, në bazë të të cilit vendoset se kur duhet të shkosh në Afrikë dhe kur në Amerikë. Unë lë gjithçka në dorë të tyre, kështu mundem të shijoj edhe udhëtimin në slita.
Itinerari është gjithmonë i njëjti?
Ah, sinqerisht që nuk ia kam fare idenë. Por mendoj që varet nga koha. Nëse ka erë të fortë në një vend apo shumë borë në një tjetër, zgjidhen vendet e kundërta të parat.
Babagjysh, të vërtetën, po ju keni qenë gjithnjë i mirë kur ishit i vogël?
Uh, kjo është pyetje shumë e vështirë. Po, në përgjithësi mendoj që po. Po më e rëndësishmja, është se përpiqesha të isha gjithnjë i tillë. Kjo ka rëndësi, për mua dhe për ne të gjithë. Të mundoheni të jeni të mirë. Të bëni aq sa mundeni.

T’ia mbathësh nga festat…
Ohu… nuk e duroj dot gjithë atë rrëmujë. Le pastaj kur vijnë njerëz orë e pa orë për vizitë e s’duhet të të gjejnë as me tuta, se janë nga pala e “atyre” e çoç thonë nëpër dhëmbë sapo kthejnë shpinën. Le pastaj që vizitën duhet edhe t’ua kthesh. Bela e madhe! Edhe pesë ditë që ka njeriu pushim, duhet të vrasë mendjen jo se ç’do gatuajë, jo sa do shpenzojë e të tjera si këto. Këtij të fundit jo se i shpëton dot ndonjëri prej nesh në çdo sezon, në fakt (sidomos kohët e fundit), por ka edhe nga ata që vendosin t’i kalojnë këto ditë (për të mos përdorur fjalën festojnë, meqë nuk e kanë qejf) krejt ndryshe nga të tjerët. Ku? Epo atje ku nuk mund të shkojnë dot të gjithë… Në plazh. Ca sepse nuk kanë se si ta justifikojnë ngjyrën e lëkurës te shefi kur të kthehen, e ca sepse nuk munden. Ama në këto kohë, plazhi është alternativa absolutisht më e ndryshme nga gjithë të tjerat. Kur gjithë të tjerët lidhen e mbështillen me shalle a bëhen njësh me sobën, ti e ke trupin përgjysmë në ujë, ke vënë syzet, se dielli është ca i bezdisur, dhe po pi një kokteil në pishinën e resortit. Mundësi të tilla, që duket se po preferohen edhe në Shqipëri gjithnjë e më shumë, po japin agjencitë e udhëtimeve përditë. Natyrisht, pa harruar vendet me borë, që tek e fundit, duhet thënë, nuk është se mund të gjenden në gusht.

Shampanja unike
Do të bësh figurë të mirë? Zgjidh shampanjën e duhur, është më e mira që mund të gjendet sot. E dimë që duhet të mendohesh mirë përpara se ta blesh, por nuk është nga ato që mund ta lësh konsumimin e pakufizuar dhe as të kesh shumë të ftuar. Mjaftojnë dy : Çfarë? “Moet&Chandon” është cilësuar si shishja më e mirë e “Moet Imperial” Si? Është krijuar nga një punim dore ekskluziv, pjesë e një serie të limituar prodhimi, dhe është dizenjuar nga artizani francez Arthur Bertrand me fletë të arta të aplikuara me dorë.  Për kë? Ka shpirtin e artistit: Kjo shishe është krejt unike.  Ku? Në një darkë, për festa. Besojeni që do mbeteni gjatë në mendjen e të ftuarve.

Gaja Barbaresco
Rrushi përdorur:  Nebbiolo 95%, barbera 5%.
Formati: 75 cl
Viti i Prodhimit : 1999
Zona e Prodhimit : Piemonte
Aroma: komplekse, ka aromë vishnje dhe erëzash
Përqindja e alkoolit: 12.5%
Është e plotë në gojë, një verë multidimensionale.
Mund të vjetërohet në shishe për më shumë se 40 vite.

 

 

 

Barolo
Rrushi përdorur: Verë e prodhuar nga rrushi Nebiolo në tre varietete, Michet, Lampia dhe Rose.
Formati: 75 cl
Viti i Prodhimit : 1999
Zona e Prodhimit :  Piemonte
Përqindja e alkoolit : arrin deri në 16%
Ngjyra: e kuqe e thellë me reflekse të ngjyrës së tullës
Aroma: përzierje e erëzave të malit dhe në fund të frutave
Shija: e butë, me fare pak ngjashmëri me likerin
Duhet lënë në shishe të paktën 2 vite përpara konsumit.

 

 

Brunello di Montalcino
Rrushi përdorur: Vetëm ai i kultivuar në zonën ku prodhohet, Sangiovese
Formati: 75 cl
Viti i Prodhimit: 1993
Zona e Prodhimit:  Sangiovese
Përqindja e alkoolit: 13.5%
Aroma: E thellë karakteristike
Shija: Është e pak e thatë në gojë, por e ngrohtë e harmonike
Mund të ruhet për disa vite, shkon deri në tridhjetë

© Panorama.al

Te lidhura