Në një kohë kur shëndetësia dhe politika në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida të thella strukturore dhe shoqërore, rrëfimi i prof. Ilir Hasanit për gazetën “Panorama” dhe gazetarin e njohur Ferdinand Samarxhi vjen si dëshmi e një rruge të ndërtuar mbi përkushtimin, humanizmin dhe përgjegjësinë publike.

I rritur në një familje mjekësh, i formuar profesionalisht në sistemin evropian dhe i angazhuar si në sallën e operacionit, ashtu edhe në vendimmarrjen politike, prof. Hasani përfaqëson figurën e shqiptarit që ia doli përmes punës dhe meritës. Në këtë intervistë, ai flet hapur për thirrjen e tij drejt mjekësisë, sfidat e të qenit shqiptar në sistemin shëndetësor, gjendjen aktuale të shëndetësisë në vend, si dhe për rolin e angazhimit politik në avancimin e barazisë dhe të drejtave institucionale.
******
FERDINAND SAMARXHI
*NDERI I KOMBIT
Prof. Hasani, ju keni një karrierë të gjatë në kirurgji dhe traumatologji. Cili ishte momenti që ju orientoi drejt kësaj fushe?
Nuk ka pas moment kyç që të përzgjedh mjekësinë. Mjekësia është ngulur në mendjen time që nga fëmijëria. Dhe mendoj se nuk kam gabuar. Udhëtimi im si mjek ka rrënjët në punën e babait tim, dr. Hasan Hasani. Ai është mjek, pediatër. Babai fillimisht ka punuar në Qendrën e Shëndet në Kumanovë. Detyrimisht, në shtëpinë tonë pjesa më e madhe e bisedave ishte rreth pacientëve, rreth punës dhe rreth problemeve të fushës së mjekësisë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjëherë nuk jam ndikuar nga prindërit, por ky realitet familjar detyrimisht ndikoi jo vetëm tek unë, por edhe te motrat e mija ne përzgjedhjen e profesionit me human të mjekut. Ne jemi rritur me bindjet e prindërve që gjithmonë duhet të jemi në shërbim të shëndetit të njerëzve, kur kësaj ia shton edhe emocionin nacional, se duhet t’i shërbejmë kombit tonë, atëherë kjo bëhet edhe më e plotë, e fuqishme, madje edhe e hekurt.
Nuk ka moment më të bukur kur të shpëtosh një jetë, nuk ka moment më të bukur kur të ngresh në këmbë një të sëmurë. Pas përfundimit të fakultetit, pata mundësinë të filloj menjëherë edukimin profesional në Gjermani, pikërisht në repartin e kirurgjisë. Aty ishte momenti vendimtar kur e kuptova qartë se rruga ime profesionale do të ishte kirurgjia. Më pas, specializimin e kam nisur në Prishtinë, në fushën e kirurgjisë abdominale. Megjithatë, sapo u paraqit mundësia për të filluar veprimtarinë time profesionale në Shkup, u ktheva menjëherë, sepse e konsideroja të rëndësishme të kontribuoj në vendin tim. Rastësisht, por fatmirësisht, në atë periudhë kishte vend të lirë në Klinikën e Traumatologjisë, ku filloi edhe orientimi im përfundimtar drejt kësaj fushe.
Traumatologjia më tërhoqi sepse bashkon precizionin shkencor me reagimin njerëzor ndaj lendimit. Momenti vendimtar ishte kontakti i parë me pacientë të politraumatizuar, ku pashë se si një ndërhyrje e saktë dhe e shpejtë mund të rikthejë shpresën dhe funksionalitetin e jetës. Kjo ndjenjë përgjegjësie dhe shërbimi ka qenë dhe mbetet motivimi im kryesor.

Si ish-zëvendësministër dhe këshilltar i Kryeministrit si e vlerësoni gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut?
Është e natyrshme që një deputet opozitar gjithmonë të jetë i prirur që të jetë kritik ndaj pushtetit, respektivisht ndaj politikave të pushtetit. Por vështrimi im nuk ka të bëj me veprimin opozitar. Unë asnjëherë nuk i kam parë gjërat nga prizmi partiak. Prandaj mendoj se që nga zgjedhjet e fundit, apo nga krijimi i koalicionit qeverisës aktual, gjërat nuk ecin mirë. Kjo përbërje e pushtetit, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE e shoqëruar nga disa parti shqiptare të bashkuara në koalicionin VLEN, shumë veprime, shumë politika, shumë zhvillime i ka orientuar në dëm të shqiptarëve, por edhe në dëm të shtetit. Në sferën duhet thënë, se ashtu sikurse ishte paralajmëruar, veprimi i parë ishte shfuqizimi i pjesës së Ligjit për shëndetësi, me të cilën ishte e rregulluar çështja e drejtorëve ekonomik në spitale dhe klinika universitare.
Ne si BDI, këtë funksion e instaluam me të vetmin qëllim, që shqiptarët të kishin qasje në çdo institucion shëndetësor. Dhe kjo u arrit, pasi që, gjithkund ku drejtorët mjekësor ishin maqedonas, drejtorët ekonomik ishin shqiptarë, kuptohet dhe e kundërta. Mos të flasim për punësimet e reja ku përqindja e të punësuarve të rinj shqiptarë është nën nivel, nën atë që ne e krijuam si standard kushtetues “përfaqësimin adekuat”. Ndërkaq, vërejtje shumë të mëdha ka edhe në avancimin e kuadrit, kualitetin e shërbimeve apo kushtet spitalore. Por ajo që shqetëson më shumë është se ky koalicion qeverisës, këtë qasje nuk e ka vetëm në shëndetësi, kjo është një qasje sistemore, dhe tendenca është që të zhbëhet gjithçka që me vite është arritur si proces i realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje e cila ndali Luftën e vitit 2001. Kam përshtypje se kjo tendencë ka për qëllim ndryshimin e modelit të demokracisë në vend – demokracisë konsensuale, duke tentuar rikthimin e modelit mazhoritar të thjeshtë. Këtë e mbështes në veprimet e vazhdueshme që bëhen ndaj segmenteve bazë që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, dhe atë, përdorimit të gjuhës shqipe, përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucione (elemente që kanë karakter kushtetues).
Përndryshe, gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut e vlerësoj si një sistem me potencial të madh, por me sfida serioze strukturore. Ka pasur përmirësime në infrastrukturë, në digjitalizim dhe në qasjen ndaj disa shërbimeve shëndetësore, por këto nuk janë shoqëruar gjithmonë me reforma të thella dhe të qëndrueshme. Problemet kryesore mbeten mungesa e kuadrit mjekësor, shpërndarja jo e barabartë e shërbimeve, mbingarkesa e spitaleve publike dhe menaxhimi jo gjithmonë efikas i burimeve. Ajo që mungon më shumë është një strategji afatgjatë, konsensuale dhe mbipartiake për shëndetësinë, e cila do ta vendosë pacientin dhe profesionistin shëndetësor në qendër të sistemit. Shëndetësia nuk duhet trajtuar si kosto buxhetore, por si investim kombëtar.

Në vitin 2009 u zgjodhët përfaqësues kombëtar në Komitetin e Shoqatës Mjekësore të Forcave të NATO-s. Çfarë rëndësie ka ky rol për sistemin shëndetësor të vendit?
Zgjedhja ime në vitin 2009 si përfaqësues kombëtar në Komitetin e Shoqatës Mjekësore të Forcave të NATO-s kishte dhe ka një rëndësi që shkon përtej një roli individual. Ky angazhim i mundësoi vendit tonë qasje të drejtpërdrejtë në standardet më të avancuara të mjekësisë ushtarake dhe të emergjencave, veçanërisht në fushën e traumatologjisë, mjekësisë së luftës dhe menaxhimit të krizave. Rëndësia kryesore e këtij roli qëndron në faktin se ai ndihmon në afrimin e sistemit tonë shëndetësor me praktikat euro-atlantike, duke rritur profesionalizmin, sigurinë e pacientëve dhe kapacitetin institucional të shtetit.
Përveç karrierës suaj mjekësore, ju jeni aktiv edhe në politikë. Çfarë ju shtyu të angazhoheni politikisht?
Angazhimi im politik buron drejtpërdrejt nga përvoja ime si mjek. Në profesionin tim, kam pasur mundësinë t’u ndihmoj njerëzve individualisht dhe në momente shumë të vështira të jetës së tyre, por gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm se ndikimi i mjekut, sado i rëndësishëm, mbetet i kufizuar në numrin e pacientëve që mund të trajtojë. Kur shërbimi ndaj qytetarëve bëhet pjesë përbërëse e veprimit tënd, ajo shton synimin për ta zgjeruar këtë veprim. Mendoj se njerëzit që kanë vizion, aftësi profesionale dhe energji duhet të tentojnë të bëjnë diçka më shumë. Politika, nëse ushtrohet me përgjegjësi dhe integritet, e zgjeron ndjeshëm spektrin e veprimit. Ajo krijon mundësinë që të ndikosh në politika publike, ligje dhe vendime që prekin shëndetin dhe jetën e mijëra qytetarëve, si në afatshkurtër, ashtu edhe në afatgjatë. Për mua, politika është vazhdim i misionit tim profesional, por në një nivel më të gjerë përgjegjësie.
Ju jeni pjesë e strukturave drejtuese të BDI-së, një parti që ka qenë për vite me radhë në pushtet. A mban BDI përgjegjësi direkte për gjendjen aktuale të shëndetësisë?
Po, si parti që ka qenë për një periudhë të gjatë pjesë e pushtetit, BDI mban përgjegjësi politike për gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë në vend. Kjo përgjegjësi nënkupton jo vetëm llogaridhënie për atë që nuk është bërë mjaftueshëm, por edhe për reformat konkrete që janë realizuar dhe që kanë ndryshuar realisht sistemin shëndetësor. Sa u përket meritave direkte të BDI-së në shëndetësi, ato janë të prekshme në disa drejtime kyçe. Së pari, hapja e drejtorive dhe pozicioneve udhëheqëse në klinikat universitare për kuadro shqiptarë, duke vendosur parimin e përfaqësimit të drejtë dhe profesional. Së dyti, procesi i punësimeve të reja në shëndetësi, që ka krijuar mundësi reale për mjekë dhe personel shëndetësor shqiptar, aty ku më parë ato ishin pothuajse të mbyllura. Një arritje thelbësore është institucionalizimi i gjuhës shqipe në shëndetësi, si në komunikimin me pacientët ashtu edhe në dokumentacionin zyrtar, duke garantuar dinjitet dhe siguri juridike për qytetarët shqiptarë. A ka pasur mundësi për më shumë? Nga perspektiva e sotme, po, pa dyshim. Disa reforma janë realizuar në rrethana të vështira politike, buxhetore dhe institucionale, shpesh përmes kompromisesh dhe rezistence të brendshme. Pikërisht kjo përvojë na obligon sot të jemi më kritikë, më të qartë në prioritetet tona dhe më të vendosur për reforma të thella dhe cilësore, jo vetëm sasiore. Përgjegjësia politike nënkupton edhe mësim nga gabimet dhe ngritje të standardeve për të ardhmen.

Duke qenë një figurë e spikatur në shëndetësinë e MV, sa e vështirë ka qenë rruga drejt suksesit si shqiptar?
Të qenit shqiptar në shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në vitet e para të karrierës sime, ka qenë pa dyshim një rrugë më e vështirë. Vështirësitë kanë qenë të ndryshme, varësisht nga koha. Nuk dua ta mohoj se ka pasur diskriminim të vazhdueshëm në periudha të ndryshme. Por këta diskriminime nuk kanë qenë individuale, kryesisht kanë pasur natyrën kolektive apo faktin se I kam takuar etnitetit tim. Kjo nuk më ka ndodhur vetëm mua, kjo u ka ndodhur gjeneratave të tëra dhe jo vetëm në profesionin tonë. Disa i rezistuan, e disa nuk i rezistuan, por e rëndësishme është se shumica edhe e atyre që nuk i rezistuan këtij procesi, vazhduan diku tjetër, për të qenë sot të suksesshëm. Jo rastësisht sot spitalet në MV janë të mbushura me profesionist shqiptarë, të cilët kryejnë me shumë respekt punën e tyre. Suksesi nuk ka ardhur si privilegj, por si rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe këmbënguljes. Këto sfida kanë qenë edhe një forcë shtytëse. Ato më kanë mësuar se çdo hap përpara kërkon përgjegjësi më të madhe dhe se çdo arritje ka vlerë të dyfishtë kur vjen përmes meritës. Rruga drejt suksesit nuk ka qenë e drejtë dhe as e lehtë, por ka qenë e ndërtuar mbi sakrificë dhe bindje të fortë.
A keni ndjerë ndonjëherë pengesa institucionale apo paragjykime për shkak të përkatësisë etnike?
Ka pasur momente kur janë ndjerë pengesa institucionale apo paragjykime të lidhura me përkatësinë etnike, veçanërisht në periudha kur sistemi nuk ishte as i hapur dhe as mjaftueshëm i ndjeshëm ndaj barazisë. Këto janë realitete që nuk mund të mohohen. Megjithatë, besoj fuqishëm se aftësia dhe integriteti i një profesionisti, në afat të gjatë, e tejkalojnë këtë ndjenjë dhe këto barriera. Kur puna është e ndërtuar mbi dije, përgjegjësi dhe rezultate konkrete, paragjykimet humbasin peshë. Në fillimet e karrierës sime më është dashur të punoj shume për ta dëshmuar vlerën time profesionale. Kjo nuk ka qenë vetëm çështje ambicieje personale, por realitet i një sistemi ku për disa duhej më shumë përpjekje për t’u parë dhe për t’u vlerësuar drejt. Megjithatë, këtë e kam parë gjithmonë si sfidë profesionale, jo si pengesë. Puna e palodhur, korrektësia dhe rezultatet konkrete janë bërë mënyra ime për të folur. Me kalimin e kohës, standardi profesional krijon respekt dhe besim, pavarësisht prejardhjes.

A mendoni se shqiptarët janë mjaftueshëm të përfaqësuar në pozita vendimmarrëse në shëndetësi?
Deri para rreth një viti e gjysmë, përfaqësimi i shqiptarëve në pozita vendimmarrëse në shëndetësi ka qenë relativisht i mirë dhe i balancuar, sidomos përmes modelit të drejtimit të dyfishtë në institucionet shëndetësore. Ky model ka garantuar jo vetëm përfaqësim etnik, por edhe kontroll më të mirë institucional dhe transparencë në vendimmarrje. Me heqjen e drejtorëve të dyfishtë, ky ekuilibër është prishur dhe përfaqësimi i shqiptarëve është zvogëluar në mënyrë drastike. Sot, në shumë institucione kyçe shëndetësore, zëri i shqiptarëve në proceset vendimmarrëse është minimal ose mungon fare. Kjo nuk është vetëm çështje përfaqësimi etnik, por çështje e funksionimit të drejtë të sistemit. Vendimmarrja gjithëpërfshirëse është parakusht për politika shëndetësore të drejta dhe shërbime cilësore për të gjithë qytetarët.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tuaj, që lidhej drejtpërdrejt me identitetin tuaj kombëtar?
Nuk njoh asnjë moment të atillë. Në jetë kam vepruar gjithmonë si individ. Gjithmonë kam luftuar si Ilir – duke u përpjekur që Iliri të identifikoj një shqiptar të zot dhe të vyer. Jam ballafaquar me sfida të ndryshme, kryesisht të ngjyrosura me pabarazi. Por asnjëherë nuk kam dashur as t’i mbaj mend. Jam përpjekur që energjia im të orientohet në profesion, në atë që ofron profesioni, në humanizëm. Gjykimet nga e kaluara vetëm kufizojnë veprimin e individit, prandaj jam përpjekur që të mos lënë gjurmë në mbamendjen time. Jeta është sfidë, e sfida është për të ardhmen. Shoh para – ashtu s’mundet të të ndaloj askush.
A mendoni se pa angazhim politik do të ishte më e vështirë, që shqiptarët të arrijnë pozita të larta institucionale?
Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kanë një vulë, vulën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit, respektivisht Bashkimin Demokratik për Integrim si subjekt politik i dalë nga UÇK. Kjo vulë ndryshoi formën e shtetit, ndryshoi modelin e demokracisë në vend, ndryshoi strukturën e institucioneve, por fatkeqësisht nuk arriti ta ndryshoj mendimin. Kjo gjë nënkupton faktin se sot vazhdon të ketë njerëz, të cilët mendojnë se nëse një pjesë e popullit fiton disa të drejta, shteti rrezikohet. Fatkeqësisht ata i gjejmë edhe në majat e politikës. Nuk e njoh shumë teorinë politike, por nga ajo që kam lexuar, di që shteti është më i fuqishëm kur i rregullon raportet me qytetarët e saj nëpërmjet të drejtave që u jep atyre. Kjo ngarkon atë pjesë të qytetarëve automatikisht me obligime, por mbi të gjitha krijon besimin e tyre për shtet funksional dhe solidarizimin për të krijuar një të ardhme më të mire.
Cilat janë ende barrierat kryesore që përballen profesionistët shqiptarë në MV?
Barrierat kryesore me të cilat përballen sot profesionistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në veçanti në fushën e shëndetësisë, nuk janë më ato klasike të qasjes në arsim apo formimit profesional – këto, në masë të madhe, i takojnë së kaluarës. Sot, rruga për t’u kualifikuar dhe për të ushtruar profesionin është më e hapur dhe në rast se sektori publik vendos pengesa, ekziston edhe alternativa e sektorit privat, ku me pak më shumë përpjekje mund të arrihen objektivat profesionale. Megjithatë, barriera reale dhe ende problematike paraqiten në fazën e avancimit profesional, veçanërisht në angazhimin në mjekësinë sekondare dhe terciare. Këtu proceset burokratike, procedurat e stërzgjatura, mungesa e transparencës dhe kriteret shpesh jo të unifikuara krijojnë pengesa që nuk janë gjithmonë meritore, por administrative apo sistemore. Pikërisht këtu duhet të orientohet energjia jonë si politikëbërës: në identifikimin dhe heqjen e barrierave burokratike, në garantimin e procedurave të qarta, të barabarta dhe transparente, si dhe në krijimin e kushteve që avancimi profesional të varet nga kompetenca dhe performanca, e jo nga pengesat administrative apo strukturore. Vetëm kështu mund të sigurojmë një përfaqësim dhe zhvillim të drejtë të profesionistëve në nivelet më të larta të sistemit shëndetësor.
Sot është më e lehtë apo më e vështirë për një shqiptar të bëjë karrierë krahasuar me 20 vite më parë?
Është e pakrahasueshme. Të bësh sot karrierë si shqiptar në Maqedoninë e Veriut është shumë më e lehtë sesa para 20 viteve. Krahasimi me atë periudhë do të ishte pothuajse i njëjtë sikur t’u bënim sot kolegëve tanë në Tiranë pyetjen se si ishte ndërtimi i karrierës gjatë komunizmit. Atëherë, pengesat nuk ishin vetëm profesionale, por edhe strukturore dhe politike, ndërsa sot ekzistojnë mundësi reale për arsimim, specializim dhe avancim profesional. Subjekti politik që unë i takoj ka arritur të ndryshojë në mënyrë thelbësore qasjen ndaj shqiptarëve në institucionet shëndetësore, duke krijuar hapësirë për përfshirje, përfaqësim dhe progres që më parë ishin të paimagjinueshme. Kjo nuk do të thotë se sfidat janë zhdukur plotësisht, por dallimi mes asaj kohe dhe realitetit të sotëm është thelbësor dhe i pamohueshëm.
Çfarë ju jep kaq forcë dhe energji për të qenë kaq i suksesshëm në profesion, ashtu edhe në politikë?
Forca dhe energjia për të qenë i suksesshëm si në profesion ashtu edhe në politikë vijnë nga një qëllim i qartë, disiplinë e vazhdueshme dhe besim i fortë në vlerat personale. Kur njeriu e di pse punon dhe për kë angazhohet, ai gjen motivim edhe në momentet më të vështira. Këmbëngulja, gatishmëria për të mësuar nga gabimet dhe aftësia për të marrë përgjegjësi janë çelësi i suksesit mendoj. Rol të rëndësishëm ka edhe familja, sigurisht. Mbështetja morale, dashuria dhe motivimi që vijnë nga familja më japin siguri, stabilitet dhe forcë për të përballuar sfidat. Kur e ke pranë familjen që të mbështet, sigurisht se më lehtë gjendet balanca, qëndrueshmëria dhe vullneti për të ecur përpara drejt suksesit.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al










