Interi vazhdon të jetë në kërkim të talenteve të reja nga e gjithë bota, e këtë radhë ka shënjestruar një futbollist të ri. Ai është Fatlum Ramadani, sulmuesi 16-vjeçar i FC. Prishtinës, i cili përveç zikaltërve, monitorohet edhe nga Verder Bremeni. Ai që e ka konfirmuar interesimin e klubit të Masimo Moratit, ka qenë vetë babai i të riut, gjatë një interviste për një të përditshme kosovare: “Një menaxher italian më ka kontaktuar dhe i ka bërë ftesë Fatlumit që të shkojë të luajë në Itali. Ai planifikon ta dërgojë djalin tim tek Interi, por momentalisht ky ekip e ka kaluar limitin e lojtarëve të huaj, prandaj na është propozuar që fillimisht të huazohet te Viçenca (Seria B) për një vit, – ka bërë të ditur babai i futbollistit, Mehmet Ramadani.
-Drejtori sportiv i FC. Prishtinës, Remzi Ejupi, më ka thënë se e kanë ndjekur edhe vëzhguesit e Verder Bremenit. Ata e kanë parë Fatlumin në një ndeshje, por edhe në stërvitje. I kanë marrë të gjitha të dhënat e tij. Ata janë shprehur mjaft të kënaqur me cilësitë e djalit tim”. Drejtuesit e klubit kosovar dhe ata të Interit kanë biseduar së fundmi, kësisoj gjatë verës Ramadani mund t’i bashkohet ekipit që militon në Serinë B italiane.
Kjo nuk është mundësia e vetme për këtë futbollist. Vitin që shkoi, me ekipin e pionierëve ka realizuar 47 gola për një sezon. Ai ka nënshkruar kontratë me Prishtinën dhe paguhet 175 euro në muaj.











