Interi blindon vendin e dytë, dështon Napoli

May 9, 2011 | 15:17
Inter - Fiorentina 3-1, zikaltrit duke festuar fitoren

Interi ka regjistruar fitoren e 12-të radhazi në kampionat si skuadër pritëse, teksa kanë mposhtur dje me rezultatin 3-1 ekipin e Fiorentinës.Golat e shënuar nga Pacini dhe Kambiaso në pjesën e parë dhe ai i Kutinjos në pjesën e dytë, kanë zhvlerësuar thuajse totalisht golin e shënuar nga Xhilardino. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, Napoli është mundur në fushën e Leçes me rezultatin 2-1. Tashmë Interi ndihet i sigurt për vendin e dytë, sepse diferenca me napoletanët ka shkuar në +4. I revoltuar nga humbja e skuadrës së tij, presidenti i Napolit, De Laurentis, ka kritikuar ashpër lojtarët, duke i quajtur ata të padenjë për të veshur fanellën e kësaj skuadre. E menjëhershme ka qenë replika e trajnerit Valter Maxarri, i cili i është përgjigjur presidentit të tij duke thënë: “Është absurde të nxjerrësh nga goja një deklaratë të tillë, për një skuadër që këtë vit ka dalë jashtë të gjitha parashikimeve. Mendoj se presidenti është nxituar tej mase. Lojtarët e mi nuk e meritojnë një trajtim të tillë”. Ndërkaq, Udineze ka vuajtur dje kundër Lacios, por ka arritur të marrë një fitore me aromë Championsi, pasi tani e sheh veten në vendin e katërt. Dopieta e Di Natales nuk i ka dhënë asnjë shans skuadrës së Igli Tares që të dilte me një rezultat pozitiv nga stadiumi i bardhezinjve. Goli i shënuar nga Kozak ka pasur vlerë vetëm për statistikë. Katania ka mundur Breshian në transfertë dhe shpreson për Serinë A, ndërkohë që skuadra e “dallëndysheve” i ka dhënë duart elitës së futbollit italian. Edhe Çezena e Erjon Bogdanit ka marrë një fitore të rëndësishme në fushën e Kaljarit, teksa ka triumfuar 0-2. Tani mbijetesa është gjithnjë e më pranë për bardhezinjtë. Bolonja dhe Parma kanë ndarë nga një barazim dhe duket se të dyja skuadrave u interesonte që të ndanin nga një pikë. Në Serinë A italiane, janë për t’u luajtur edhe dy javë të tjera.

© Panorama.al

Te lidhura