Interesi publik, mbi përplasjet private

Sep 14, 2011 | 9:46

ARTAN GJERGJI

Akuza dhe baltosja e kujtdo që na shkel në kallo, na shkel interesat apo “na prish punë”, është kthyer tashmë në modë në real-politikën shqiptare. Në anën tjetër, po aq në modë është kthyer edhe hedhja baltë mbi palën që të “nxjerr të palarat në shesh” duke e banalizuar debatin në emra të përveçëm e afera me thashetheme kafenesh. E, sikur një fenomen i tillë të mbetej në kuadër të një marrëdhënieje private mes individësh të caktuar, s’do të kishte asgjë për t’u shënuar, por kur në çështje të tilla, aspak transparente, përfshihet edhe interesi publik, atëherë duhet ndaluar dhe analizuar me gjakftohtësi, për t’i dhënë Cezarit çka është e Cezarit, si dhe për të kërkuar llogari një me një për (sh)përdorimin e taksave tona. Bash kështu ishte edhe zhurma e madhe që u ngrit mediatikisht mbi një debat mes grupit mediatik që boton “Panoramën” dhe ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPTT), z. Olldashi. Ky i fundit u akuzua publikisht se më anë të një urdhri të MPTT, i kishte dhënë një kompanie të vetme “monopolin” e shtrimit me fibra optike për lidhjen e Shqipërisë me rrjetet ndërkombëtare të ofrimit të shërbimit të internetit. Me aq sa u bë publike gjatë debatit, koncesioni ishte dhënë për 20 vjet me të drejtë automatike ripërsëritje 20 vjet të tjerë. Përkarshi këtyre akuzave mediatike, çuditërisht, ministri Olldashi doli në një konferencë për shtyp dhe në vend që të sqaronte vendimin e marrë prej tij dhe institucionit publik që përfaqëson, u përpoq të akuzonte një person privat (pronar medie), me pretekstin se e akuzuaka për qëllime dhe interesa personale. Pavarësisht nëse një fakt i tillë është i vërtetë ose jo, një çështje e tillë është private dhe ka të bëjë mes qytetarit A (aktualisht në pozicion ministri) dhe qytetarit B (aktualisht pronar medie), por vendimi për koncesionin 40-vjeçar është një çështje me interes direkt publik dhe që ka të bëjë me çdo qytetar në këtë vend.
Duke u distancuar që në fillim nga një debat i tillë shterp dhe duke u përpjekur të bëjmë një analizë të ftohtë ekonomike, gjykojmë që vendimi i firmosur nga ministri Olldashi është, në rastin më të mirë, ndërmarrë në kushtet e një analize joprofesionale dhe aspak me fitim për ekonominë e vendit. Ndërsa në variantin më të keq, është një rast i pastër i korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të shtetit me atributin që u jep posti publik.
Pavarësisht përpëlitjeve për të mos e treguar rastin një monopol të pastër në një prej tregjeve më premtuese në zhvillimin e teknologjisë dhe informacionit, siç është tregu i fibrave optike (thënë ndryshe, platforma, e cila do të lidhë gjithë sistemin vendas të përdorimit të internetit me shpejtësi të lartë me rrjetet ndërkombëtare), indikacionet të çojnë në këtë përfundim.
Së pari, procesi krijon një monopol të padiskutueshëm në tregun e ISP-ve (ofruesit e shërbimit të internetit), pasi këta të fundit do të jenë të detyruar të pranojnë tarifat e diktuara nga pronari (për 40 vjet) i platformës. Kjo do të bënte që shërbimi i internetit të ofrohet me kosto të lartë edhe për disa dekada, duke reduktuar mundësinë e ekspansionit të tij me shpejtësi, siç ka ndodhur në vendet fqinje. Në të kundërt, liberalizimi i një shërbimi të tillë (çka do të sillte uljen drastike të kostove), do t’i mundësonte Shqipërisë të kapte ritmet e larta të penetrimit të përdorimit të internetit tamam siç pretendon qeveria ku z. Olldashi bën pjesë.
Së dyti, mungon një proces transparent i tenderimit sipas procedurave ligjore në fuqi të një procesi kaq të rëndësishëm dhe, çuditërisht, enti rregullator për këtë industri, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postave (AKEP), është përjashtuar nga ky proces. Paradoksalisht. MPTT i merr të drejtën Drejtorisë së Rrugëve (ndoshta me të drejtë), por vendos, pa përfshirjen dhe vlerësimin e AKEP-it, në lidhje me impaktin që do të ketë një koncesion i tillë në kosto fundore te konsumatorët. Po aq i çuditshëm është edhe fakti që pse nuk i kërkohet mendim Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me situatën monopolistike të krijuar në treg me anë të këtij urdhri.
Së treti, urdhri i jep firmës të drejtën ekskluzive të përdorimit të platformës së fibrave optike për 20 vjet dhe “dhuratën” e ripërtëritjes automatike të kontratës edhe për 20 vjet të tjerë, duke e thelluar ndikimin negativ të saj në treg. Teoritë (dhe praktika) e thithjes së investimeve të huaja direkte njohin edhe “favore” të tilla. Megjithatë, të tilla raste kanë të bëjnë me kompani të huaja që sjellin kapital në një masë të konsiderueshme në vend dhe që imazhi i tyre është më i rëndësishëm se vetë kapitali që sjellin, pasi bëhen ogur për tërheqjen e IHD-ve të tjera (rasti i Raiffaisen Bank apo i Aeroportit të Rinasit). Por, fatkeqësisht, kompania fituese e kësaj të drejte ekskluzive nuk sjell kapital të huaj, sepse është me kapital shqiptar, nuk është as ndonjë kompani prestigjioze, nuk ka ekspertizën e duhur (e krijuar në shkurt 2010), dhe vlera totale e investimit që do të bëjë është një shifër simbolike në termat e investimeve kapitale (40 milionë euro), ndërkohë që përfitimi për ortakët është disa herë më i madh në kurriz të interesit publik për shkak të mungesës konkurrencës në tregun e ofrimit të shërbimit të interkonjeksionit.
Së katërti, urdhri zhduk nga tregu kompanitë ekzistuese, të cilat kanë vite që operojnë në këtë treg dhe janë përpjekur të investojnë në këtë drejtim. Një veprim i tillë, përveçse dëmton rëndë konkurrencën në këtë sektor, çon dëm edhe një sasi të konsiderueshme të investimeve private të realizuara brenda vendit, duke reduktuar eficiencën e përdorimit të kapitalit në ekonominë shqiptare. Paradoksalisht, kompania që merr ekskluzivitetin për 40 vjet s’ka ekspertizë, është krejt e re dhe, me sa del nga termat e kontratës, i mungon edhe kapitali i nevojshëm për të realizuar projektin (nene të shtojcës së urdhrit të MPPTT i “japin të drejtën” kompanisë së panjohur të mund të marrë deri në 60% të totalit të projektit kredi nga sistemi bankar).
Së pesti, MPPTT është aq “bujare” me kompaninë, sa i kursen asaj kohën, mundin dhe kapitalin e nevojshëm për t’u marrë me pronësinë e tokës nga ku do të kalojë kablloja e fibrave optike. MPPTT i ofron bujarisht trasenë e rrugëve nacionale (tashmë në pronësi të shtetit), duke e shmangur kështu edhe nga detyrimet e “bezdisshme” që rrjedhin edhe nga ligji “Për koncesionet”. E, duke qenë se kompania fituese nuk ka si e shtrin kabllon nën asfaltin e rrugëve pa i prishur ato, të gjithë jemi dëshmitarë për kanalin e hapur nga firma në rrugët kombëtare. Jemi dëshmitarë edhe për mbylljen e tij shumë shpejt, tashmë jo më me asfalt, por me beton (duhet të kushtojë më lirë), duke dhunuar investimet publike të bëra me aq mund e djersë e kosto financiare për xhepat e taksapaguesve.
Në fakt, qytetarëve shqiptarë u duhen bërë të ditura pikërisht këto detaje të paqarta dhe arsyet teknike që e çuan MPPTT të ndërmarrë një vendim të tillë, i cili nga kjo anë e televizionit (bazuar në informacionin e bërë publik) pa dyshim që të vë në dyshime dhe, më keq akoma, të lë shijen e hidhur të një afere në kurriz të taksapaguesve. Fatkeqësisht, mandati i një pushtetari ka një periudhë të caktuar dhe të kufizuar kohore, por ndikimi negativ i veprimeve të papërgjegjshme të tij (kur janë të tilla) cenojnë interesin publik për dekada me radhë. Për rrjedhojë, fenomeni duhet parë jashtë marrëdhënies private të qytetarit ministër me qytetarin ndërtues. E, si i tillë, duhen marrë sa më shpejt masat e nevojshme, deri edhe në shfuqizim të një vendimi që shkon ndesh me interesat kombëtare dhe ato të taksapaguesve shqiptarë.

© Panorama.al

Te lidhura