I ka mjaftuar pjesa e dytë skuadrës së Interit për të shkatërruar 5-2 Xhenoan në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Serisë A, të luajtur në Milano. Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, falë golit të shënuar nga Palacio në minutën e 40-të. Por, në fraksionin e dytë të lojës, zikaltrit kthyen gjithçka. Fillimisht barazoi Pacini (50′) dhe më pas shënoi dy herë Eto (51′, 57′). Por Interi s’do ndalej me kaq. Pandev do shënonte në minutën e 71-të, ndërsa Nagatomon në të 84-ën. Miqtë shënuan golin e dytë me Boselin në sekondat e fundit të takimit,5-2. Ndërkohë, Napoli humb sërish terren, pasi nuk ka shkuar me shumë se një barazim pa gola me Breshian. Po 0-0 u mbyll edhe Kievo-Parma, ndërsa Bolonja e Kaljari ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Në ndeshjen e luajtur më herët, Sampdoria u mund brenda me rezultatin 3-2 nga Çezena. Fiorentina mundi pastër 3-0 Katanian, ndërsa Udinezes i mjaftoi një gol për të marrë 3 pikëshin e radhës ndaj Barit. Renditja sheh Milanin në krye me 61 pikë, ndjekur prej Interit me 56 dhe Napolit 53 pikë.











